Udhëheqësi i Azerbajxhanit Ilham Aliyev ka akuzuar sërish Moskën se po tenton që të mbulojë ngjarjen e rrëzimit të avionit me 38 të vdekur muajin e kaluar, pasi marrëdhëniet midis dy fqinjëve janë acaruar.
Ndërsa u takua të hënën me dy stjuardesat e mbijetuara dhe familjet e anëtarëve të tjerë të ekuipazhit që vdiqën, presidenti Aliyev tha se hetimi paraprak për rrëzimin kishte konfirmuar se avioni ishte goditur nga mbrojtja ajrore ruse, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve të Azerbajxhanit (AZERTAC).
Hapësira ajrore mbi Grozny, kryeqyteti i republikës jugore ruse të Çeçenisë, u mbyll vetëm pasi avioni u godit, pretendoi Aliyev.
“Mund të them me bindje se fajin për vdekjen e qytetarëve të Azerbajxhanit në këtë aksident e kanë përfaqësuesit e Federatës Ruse. Kërkojmë drejtësi, kërkojmë dënimin e fajtorëve, kërkojmë transparencë të plotë dhe trajtim human”, u shpreh Aliyev.
Disa ditë pas rrëzimit, presidenti rus Vladimir Putin kërkoi falje që incidenti tragjik ndodhi në hapësirën ajrore ruse, por nuk pranoi përgjegjësinë. Putin tha se sistemet e mbrojtjes ajrore të Rusisë ishin aktive kur avioni u përpoq të ulej në Grozny dhe se zona po sulmohej nga dronët luftarakë ukrainas.
Aliyev të hënën akuzoi përsëri Rusinë, duke thënë se “versionet absurde” të rrëzimit kanë shkaktuar “befasi, keqardhje dhe indinjatë të drejtë” në Azerbajxhan.
“Nëse qyteti i Groznit do të kishte marrë masa në kohë për të mbyllur hapësirën ajrore ruse mbi territorin e tij, nëse do të ishin respektuar të gjitha rregullat e shërbimeve tokësore dhe nëse do të kishte pasur koordinim midis forcave të armatosura dhe shërbimeve civile të Federatës Ruse, atëherë kjo tragjedi nuk do të kishte ndodhur”, tha ai./abcnews.al