
Asamblisti i VV-së në Prishtinë, Berat Lahu i ka reaguar degës së partisë së tij, Vetëvendosjes në Prishtinë për akuza të rreme e shpifje ndaj tij, shkruan Insajderi.
Ai ka thënë se Vetëvendosje në Prishtinë po e akuzon për pazare me oligarkë e që sipas tij është një shpifje e pastër.
Lahu kundërshtuar komunikatën e Vetëvendosje në Prishtinë duke e cilësuar përmbajtjen e saj si “shpifje”.
Mes tjerash, ai ka sugjeruar VV që të merret me Egzon Azemin, i cili, sipas tij, në seancën e djeshme “duke e ditur se kamerat kanë qenë të kthyera nga ne, është afruar me vetëdije dhe ka provokuar”.
Lahu ka mohuar që e ka implikuar kryeministrin Kurti, derisa ka shtuar se e ka “shprehur mllefin që shumë herë është abuzuar me emrin e tij e të kryesisë qendrore, ashtu si në rastin e turpshëm të këmbimit të pronave në Badoc”.
Postimi i plotë:
Reagim ndaj komunikatës së Qendrës së Prishtinës të Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Për ngjarjen e djeshme në Kuvendin komunal, dje pasdite Qendra e VETËVENDOSJE-s! në Prishtinë ka lëshuar një komunikatë që nuk është aspak e denjë për subjektin më të madh në Prishtinë. Lëvizja Vetëvendosje, komunikatat gjithmonë i ka bazuar në fakte përderisa kjo e djeshmja përmbanë vetëm shpifje.
Unë në asnjë moment nuk e kam implikuar në asgjë Kryeminstrin Kurti, por vetëm kam shprehur mllefin që shumë herë është abuzuar me emrin e tij e të kryesisë qendrore, ashtu si në rastin e turpshëm të këmbimit të pronave në Badoc.
Në komunikatën e djeshme akuzohem për kontrabandim të Buxhetit e mundësim të realizimit të interesave të Devollëve – deklarime të cilat asnjëra nuk qëndrojnë. Për votimin e Buxhetit, tashmë kryesia e qendrës dhe vet Gëzim Sveçla kanë marrë vendim që të votohet në mënyrë që të mos shkohet në zgjedhje të parakohshme, ndërsa për zgjerimin e kufirit të zonës ekonomike propozimi ka ardhur gjatë seancës, gjë të cilën në asnjë situatë nuk do ta përkrahja.
Ata po më akuzojnë mua për pazare me oligarkë, që është një shpifje e pastër, në ndërkohe që kam qenë vet unë që kam kundërshtuar realizimin e intresave të Devollëve në shumë raste, njejtë siq e kam kundërshtuar këmbimin e pronave në Badoc me prona në Prishtinën e re.
Qendra e Prishtinës në vend se të bëjë akuza të pabaza kundër meje do të duhej të merrej me Egzon Azemin, i cili në seancën e djeshme duke e ditur se kamerat kanë qenë të kthyera nga ne, është afruar me vetëdije dhe ka provokuar. Njësoj është dashur të merren masa edhe ndaj Gëzim Sveçlës, që në rastin e Badocit, duke spekuluar në emër të kryesisë qëndrore mundësoi kuorumin për miratimin e vendimit të shkëmbimit të pronave në Badoc.
Unë besoj në Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe në Kryeministrin Kurti, andaj edhe ju bëjë thirrje strukturave të Lëvizjes VETËVENDOSJE! që t’i trajtojnë këto shpifje të pabaza dhe të merren masat përkatëse.