Në seancën e së premtes, në gjykimin ndaj aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me protestën e vitit 2015, në cilësinë e dëshmitarit/ të dëmtuarit është dëgjuar i dëmtuari Sami Hoti, i cili tha se kishte marrë lëndime gjatë protestës.
“E kam vërejtur që jam i lënduar dhe e kam parë që ishte duke me rrjedhur gjak”, deklaroi dëshmitari Hoti, i cili në kohën kur kishte ndodhur protesta kishte qenë pjesëtar i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në Prishtinë
Në këtë rast, Ylli Hoxha, Premton Iberdemaj, Uran Hasan, Arbër Kaqorraj dhe Armend Loshaj ngarkohen se në dhjetor të 2015-ës, gjatë një proteste, iu kishin shkaktuar lëndime të rënda trupore dy policëve dhe kishin dëmtuar pronat e disa institucioneve në vlerë prej 20 mijë eurosh, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Hoti, i cili tha se tani punon në Njësinë e Reagimit të Shpejtë në Prizren, deklaroi se si pjesëmarrës në atë protestë, kishte identifikuar atë natë se kush ishin të akuzuarit Hoxha dhe Iberdemaj.
Sipas tij, Hoxhën e kishte njohur pas arrestimit, por edhe pas paraqitjes në media, ndërsa Iberdemajn e kishte identifikuar në bazë të stilit të veçantë të flokëve dhe në bazë të fizionomisë.
“Në momentin kur jam lënduar, gjithashtu Premtoni ka marrë pjesë në hedhjen e mjeteve të forta, por jo vetëm Premtoni. Edhe në momentin kur janë demoluar dhe shkatërruar pronat publike, lëndimet e zyrtarëve policorë, prona e Policisë së Kosovës, ka qenë pjesëmarrës aktiv”, deklaroi Hoti.
Hoti tha se protestuesit kishin ndezur kontejnerët e mbeturinave dhe i kishin zhvendosur përgjatë rrugës, pastaj kontejnerët e ndezur i kishin shtyrë në drejtim të kordonëve të Policisë.
Meqenëse mbrojtësi i të akuzuarit Kaqorraj, avokati Gazmend Lokaj, kishte kërkuar leje nga gjykatësi i rastit, Eroll Gashi, për të shkuar në një seancë të caktuar me paraburgim. Po ashtu, mbrojtësi i të akuzuarit Iberdemaj, avokati Labinot Vataj, me autorizim zëvendësueses për Besjana Ismailin kishte kërkuar leje për shkak se do të udhëtonte jashtë vendit, seanca e sotme u ndërpre.
Të dy avokatët e lartcekur, sipas gjykatësit Gashi, e kishin njoftuar në fillim të seancës.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 24 dhjetor 2015, Premton Iberdemaj, Ylli Hoxha, Uran Hasani, Arbër Kaqorraj dhe Armend Loshaj akuzohen se më 12 tetor 2015, kanë marrë pjesë në turmën e mbledhur dhe kishin gjuajtur me gurë dhe gjësende të forta në drejtim të policisë, të cilët kishin qenë duke parandaluar rrezikun ndaj qytetarëve dhe duke mbajtur rendin dhe qetësinë publike.
Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit kishin ndezur kontejnerët e mbeturinave dhe i kishin zhvendosur për gjatë rrugës, pastaj kontejnerët e ndezur i kishin shtyrë në drejtim të kordonëve policore, kishin hedhur koktej të molotovit, ku kishin vënë zjarrin automjeteve zyrtare, kishin gjuajtur gurë dhe gjësende të forta në drejtim të Stacionit Policor Qendra, kishin thyer xhamat e dritareve, kishin dëmtuar kornizat e dritareve, kishin dëmtuar inventarin brenda zyrave, si dhe kishin dëmtuar fasadën e këtij objekti.
Sipas Prokurorisë, të akuzuarit kishin djegur një automjet zyrtar dhe kishin dëmtuar 7 automjete zyrtare, si dhe u kishin shkaktuar lëndime të rënda trupore zyrtarëve policorë Pajtim Kryeziu dhe Fahredin Veliu dhe i kishin shkaktuar dëm në vlerë prej 20 mijë euro institucioneve si: Stacionit Policor Qendra, Zyrës së Prokurorit Disiplinor, KQZ-së, Selisë së PDK-së dhe KRM ”Pastrimi”, në Prishtinë.
Me këto veprime, Prokuroria i ngarkon të akuzuarit se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”, nga neni 412, par.1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.
Dëshmitari shtoi se edhe të akuzuarin Hoxha e kishte parë duke përdorur mjete të forta gjatë protestës.