
Ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka folur për themelimin e Gjykatës Speciale dhe sfidat që përballi vendi në atë kohë, shkruan Insajderi.
Thaçi, i cili atëbotë ishte zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme, tha se Kosova kishte përballë dy opsione: ose të themelonte Specialen në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, ose t’i imponohej një gjykatë e ngjashme nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, me përfshirjen e Rusisë dhe Kinës, por që gjithsesi do të përkrahej nga SHBA dhe BE.
“Kosova ishte përballë dy sfidave: të themelojë këtë gjykatë vet në koordinim me SHBA-të dhe Bashkimin Evropian, ose Kosovës do t`i imponohej një gjykatë e njëjtë, por e themeluar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, me rol aktiv të Rusisë dhe Kinës, por që do të përkrahej edhe nga SHBA dhe BE”, deklaroi Thaçi në Rubikon.
Ai shtoi se Kosova bëri zgjedhjen e parë, që e quajti shumë sfiduese, por më të përgjegjshme, duke theksuar se partnerët amerikanë dhe evropianë kishin dhënë garanci se legjislacioni kosovar do të respektohej në këtë proces.
“Kosova bëri zgjedhjen e parë që ishte shumë sfiduese, por më e përgjegjshme. Me garancë nga partnerët amerikanë dhe evropianë se do të punohet me legjislacionin kosovar, pra jo vetëm të merret parasysh, por, nënvizoj, detyrimisht të respektohet”, tha Thaçi.