
Një zjarr i madh ka përfshirë mbrëmjen e së enjtes një objekt banesor në lagjen Emshir të Prishtinës, duke shkaktuar shqetësim të madh tek banorët dhe kalimtarët. Zjarri ka shpërthyer rreth orës 20:00 dhe është ende aktiv.
“Po vazhdon të digjet kulla 3, kati i 10 dhe 11 i objektit banesor”, ka thënë një lexues për Insajderin, duke përshkruar situatën e rëndë në vendin e ngjarjes.
Në terren ndodhen një numër i madh i zjarrfikësve dhe njësive të policisë, të cilët po bëjnë përpjekje të vazhdueshme për ta lokalizuar dhe shuar zjarrin.
Pamje direkte tregojnë flakët duke dalë nga katet e sipërme të ndërtesës.
Jashtë ndërtesës shihet një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të shqetësuar, të cilët po ndjekin nga afër përpjekjet e zjarrfikësve për ta lokalizuar zjarrin.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka konfirmuar se deri tani nuk ka raportime për persona të lënduar.
“Sot rreth orës 20:00 kemi pranuar informatën për një incident zjarri në një ndërtesë në lagjen Emshir në Prishtinë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë policia dhe zjarrfikësit. Bazuar në të dhënat e deritanishme, nuk raportohet për persona të lënduar”, ka deklaruar Ahmeti.
Shkaqet e zjarrit nuk janë bërë ende të ditura.
Insajderi ka tentuar të marrë një koment të ri nga policia e zjarrëfikësit, për të kuptuar shkakun dhe përmasat e dëmeve, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje shtesë.
Insajderi do t’ju mbajë të informuar lidhur me rastin…