Podcast me biznesmenin e dënuar për mashtrim - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Podcast me biznesmenin e dënuar për mashtrim

    Insajderi
    24 October 2023 - 12:13
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shifrat tregojnë se votuesit e LDK’së nuk kishin kureshtje ta dëgjonte mbrëmë Podcastin e kryetarit të tyre. Ndoshta problemi ishte te mysafiri. Një humorist ishte i ftuar në një situatë të rëndë politike. Por, të rëndë për LDK’në edhe në një aspekt tjetër. Në kohën e shpërthimit të aferës korruptive të “Rrugës A”. Ndoshta votuesit e LDK’së ishin më shumë kureshtar që ta dëgjonin në Podcastin e kryetarin biznesmenin e dënuar për mashtrim që përfitoi mbi 8 milionë euro nga Prishtina e LDK’së.

    Shkruan: Parim Olluri

    Lumir Abdixhiku, ndonëse është kryetar partie dhe njerëzit kanë tjera pritje nga ai, vendosi që mbrëmë të bëhet moderator. E intervistonte humoristin Besim Dina. Në një situatë normale njerëzit do të duhej të qeshnin me humoristin e ftuar në studio, por dje ndodhi e kundërta. Qeshën me moderatorin që ishte edhe kryetar partie.

    Në rrjete sociale vërshuan tallje të shumta me Abdixhikun. Dikush e shkroi edhe këtë: Ishalla s’po ja nis me i sha njerëzit me nanë për me fitu luana. Ky është një veprim që e bëjnë tiktokerët e famshëm në kërkim të parasë, por Abdixhiku mbrëmë e ndali vetën vetëm tek një paraqitje e zbehtë dhe e kotë.

    Njerëzit u tallën me faktin se pse ishte i ftuar Besim Dina. Me të drejtë. Në kohën e vizitës së pesëshes euro-amerikane që ndodhi një muaj pas sulmit terrorist nga kryetari i LDK’së pritej një qëndrim i fortë për veriun.

    Ndoshta edhe një thirrje për protestë siç bënte dikur Kurti.

    Intervistimi i Besim Dinës? Kjo ishte e çuditshme. Ngjasonte në një veprim prej tiktokeri. Imagjinojeni nëse Kurti do ta bënte një gjë të tillë më 2013 e 2014 në kohën e negociatave për Zajednicën. Çfarë do t’i ndodhte? Një gjë dihet me siguri: Sot nuk do të ishte kryeministër. Përpos situatës së rënduar politike, ky veprim prej tiktokeri i Abdixhikut erdhi edhe në një kohë të rënduar për LDK’në.

    Në mes të një afere të rëndë korruptive që i shpërtheu kësaj partie. Është partia e vetme që i është bllokuar një projekt multimilionësh. Arsyeja: Ka shpallur fitues kompaninë e një të dënuari për mashtrim. Një biznesmen që nuk ka të drejt as të konkurrojë në tenderë. “Rruga A”, një projekt prej mbi 8 milionë e 400 mijë eurosh është përshkuar me dëshmi që tregojnë për shkelje brutale ligjore.

    LDK’ja si parti e as kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, nuk kanë dhënë sqarimet e duhura për të treguar se si u bë shpallja fitues e kompanisë së të dënuarit për mashtrim. Asnjëri prej tyre nuk kanë mbajtur konferencë shtypi. Janë mjaftuar me një postim në Facebook. Aty treguan se gjyqtarja që e mori vendimin është motra e deputetes Fitore Pacolli. Nuk dihet se çfarë donin të thonin me këtë. Që nëse gjyqtarja nuk do të ishte e afërt me VV’në, atëherë do ta amnistonte Komunën e Prishtinës.

    Nuk do t’i ndëshkonte për shpalljen fitues të kompanisë së biznesmenit që nuk ka as drejtë konkurrimi në tenderë, e lëre më të drejtë nënshkrimi të kontratave mbi 8 milionëshe. Kjo është tema për të cilën votuesin e LDK’janë kureshtarë që të informohen. Jo mendimet e Besim Dinës për politikën.

    Abixhiku më mirë do të ishte që ta ftonte në Podcast biznesmenin Sallahu.

    T’i tregonte publikut se kush është ai dhe për arsyen se pse është shkelur ligji që ai të shpallet fitues tenderi. Votuesit e LDK’së janë kureshtar që të njihen për së afërmi me biznesmenin që është top temë e projekteve të LDK’së. Të njihen me njeriun që po përfiton më së shumti nga Prishtina e LDK’së.

    Të njihet me njeriun që për të Prishtina e LDK’së i shkelë brutalisht edhe ligjet e Kosovës.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark