Policia e Kosovës ka sekuestruar armë të ftohta në një kontroll të autobusëve që shpien nga Ferizaj në fshatrat Doganaj, Greme dhe Gaçkë. Ato dyshohet të kenë qenë në posedim të nxënësve.
Në njoftimin e PK’së thuhet se zyrtarë civilë identifikuan mjete të mprehta si thika, boksa hekuri e të tjera, shkruan Insajderi.
“Gjatë kontrollimit të udhëtarëve, të cilët kanë qenë kryesisht me nxënës, në dyshemenë e autobusit janë gjetur : një armë zjarri, dy thika dhe një ‘’Box hekuri’’, të cilat nuk dihen se kujt i përkasin.
Për të gjitha këto veprime është njoftuar prokurori i shtetit dhe me vendim të tij është iniciuar një rast për hetim ‘’ Mbajtje në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armës’’”, vijon njoftimi i PK’së.
Policia ka njoftuar se kontrollimi i autobusëve urbanë do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.
Policia fton qytetarët për bashkëpunim, që nëse kanë informacione rreth dukurive negative tek nxënësit të njoftojnë menjëherë stacionin më të afërt të policisë, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ’’ dhe në numrat kujdestarë të cilët janë 192 , 0290/326-250 dhe 0290/322-406. /Insajderi.org/