
Shefqet Zogaj, ish-oficer i Policisë së Kosovës që është liruar nga akuzat për vepra penale që lidhen me posedim droge, ka nisur një betejë të re ligjore.
Avokatja Aurora Mulhaxha Mulhaxha ka konfirmuar se ajo përfaqëson Zogajn në nismën ligjore për dëmshpërblim për afro tetë vitet e kaluara në proces gjyqësore si dhe kthimin e tij në vendin e punës që ka pasur para nisjes së gjykimit, kthimin në Policinë e Kosovës.
“Kemi bërë kërkesë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës për dëmshpërblim. Shuma që është dhënë është e vogël, prandaj kemi bërë padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë”, ka thënë Mulhaxha duke treguar që bashkë me këtë procedurë po kërkojnë në anën tjetër që Shefqet Zogaj të kthehet në punë.
Sipas aktakuzës së ngritur nga ish-Prokuroria e Qarkut në Prishtinë, më 15 qershor 2012, të akuzuarit, Dardan Blakaj, Shaban Ramaj, Ardisan Zogaj dhe Shefqet Zogaj, akuzoheshin se gjatë vitit 2011, në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale, “blerja, posedimi, shpërndarja, dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike”, “kontrabande me migrantë”, “falsifikim i dokumenteve” dhe “mbajtja ne pronësi, kontroll posedim, ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve”.
Vitin e kaluar, të dy shkallët e gjyqësorit morën vendim për shpalljen e aktgjykimit lirues kundër të akuzuarve./Insajderi.org