Policia e Kosovës ka bërë apel te të gjithë ngasësit e automjeteve që të kenë kujdes në komunikacionin rrugor, në mënyrë që t’i shmangen fatkeqësive. Kjo për faktin, siç thotë policia, të dhënat tregojnë për një shtim më të madh të aksidenteve në komunikacion.
“Referuar analizave policore në të shumtën e rasteve është konstatuar se deri te aksidentet kanë quar tejkalimi i shpejtësisë, mosmbajtja e distancës, gjithashtu edhe gjendja teknike e automjeteve dhe kushtet e rrugës janë ndër faktorët tjerë kontribuues faktori kryesor për shkaktimin e aksidenteve mbetet faktori njeri”, thuhet ndër tjera në apelin e policisë.
“Ne apelojmë tek te gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të jenë më të kujdesshëm dhe t’i respektojnë rregullat që dalin nga ligji për komunikacionin rrugor, t’i respektojnë shenjat, t’u shmangen përdorimit të telefonave mobil gjatë vozitjes, të mos drejtojnë automjetin nën ndikimin e alkoolit, lodhjes apo gjumit, në mënyrë që t’iu shmangen aksidenteve dhe në këtë mënyrë të kontribuojnë në uljen e numrit të jetëve të humbura në aksidente komunikacioni si shqetësim që preokupon si qytetarët tanë, Policinë e Kosovës po ashtu edhe akterët tjerë përgjegjës të kësaj fushe”, thuhet më tej në komunikatë.
Policia e Kosovës thotë se vazhdon të jetë aktive duke përfshirë edhe bashkëpunimin me institucione tjera relevante dhe vetë qytetarët për të ndikuar në ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme që ndërlidhen me ngritjen e nivelit të sigurisë së përgjithshme në komunikacion duke përfshirë edhe sanksionet që dalin nga ligjet e aplikueshme në vend.