U.V., nacionaliteti serb, është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin se ka sulmuar gazetarët nga Kosova përgjatë kohës sa po raportonin për situatën e tensionuar në veri të Mitrovicës.
Policia e Kosovës e ka njoftuar arrestimin e të dyshuarit mëngjesin e së hënës, teksa kujtohet se sulmi ka ndodhur tri ditë më pare.
“Sot, në orët e hershme të mëngjesit është arrestuar i dyshuari i radhës mashkull serb U.V., me vendbanim në një fshat të komunës së Leposaviqit, i dyshuar për përfshirje në një rast sulm ndaj mediave/gazetarëve”, thuhet në njoftimin e policisë.
“Arrestimi i tij dhe shoqërimi në stacion policor është kryer si rezultat i hetimeve intensive dhe I sigurimit të dëshmive, se i njëjti është përfshirë në sulm ndaj mediave/gazetarëve me datë 16 qershor 2023. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, vijon njoftimi.