
Dje u raportua gjerësisht në mediat serbe për gjoja një rrahje të dy personave të nacionalitetit serb në Leposaviq, përçka reagoi edhe Poliica e Kosovës duke e demantuar.
Policia e Kosovës njofton se menjëherë pas publikimit të këtyre lajmeve kryesisht në mediat serbe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme për të verifikuar dhe trajtuar diçka të tillë, por se nuk ka gjetur as raportim as evidentim të diçkaje të tillë.
Njoftimi i Policisë së Kosovës:
SQARIM PËR MEDIA
Prishtinë, 9 mars 2023
Referuar deklarimeve dhe publikimeve të datës 08.03.2023 nga disa mediume, se kinse në një fshat të komunës së Leposaviqit, dy të rinj të nacionalitetit serb janë rrahur/keqtrajtuar nga zyrtarë policorë siç e quajnë ata njësia ROSU, ju informojmë dhe njëherit sqarojmë se:
Policia e Kosovës menjëherë pas publikimit të këtyre informacioneve, me datë 08.03.2023 ka ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme konform autorizimeve ligjore, me qëllim të verifikimit dhe trajtimit të informacionit dhe deklarimeve të publikuara, të cilat kanë rezultuar se nuk ka ndonjë rast të raportuar apo evidentuar në institucionet kompetente.
Bazuar në informacionet dhe verifikimet zyrtare me të gjitha njësitet policore në terren, përfshirë ato kufitare, është vërtetuar se një rast i tillë nuk është raportuar në Polici të Kosovës, informacion ky i cili iu është kumtuar mediave të interesuara kryesisht serbe.
Deklarimet dhe publikimet në fjalë, sipas kompetencës, Policia e Kosovës i ka adresuar te Inspektorati Policor i Kosovës për trajtim dhe kompetencë të mëtejme.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe ofrimit të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim, dhe njëkohësisht fton të gjithë qytetarët që për çfarëdo rasti apo kërkese t’i adresohen institucionit policor për trajtimin e tyre. Po ashtu ftojmë edhe mediat që për informacione zyrtare t’i adresohen Policisë së Kosovës.