Pronari i kompanisë “Fer Petroll” Mehdi Gjoka që ishte ndaluar me parë nën dyshimin për mashtrim, së fundmi është shpërblyer me tender nga Policia e Kosovës. Insajderi ka marrë konfirmim nga Prokuroria që hetimi ndaj “Fer Petroll” për mashtrim dhe shmangie nga tatimi është duke vazhduar deri në mars 2025, me leje të Gjykatës.
Policia e Kosovës i ka dhënë tender në vlerë prej 83 mijë euro kompanisë që është duke u hetuar për mashtrim dhe shmangie tatimesh. “Fer Petroll” me pronar, Mehdi Gjoka dhe aksionar Jashar Gjoka, bashkë me dy biznese të tjera, nga viti 2022, janë të dyshuar për shmangie të taksave dhe manipulim me çmime të derivateve.
Tenderi prej 83,754 mijë eurosh i fituar nga “Fer Petroll” ka të bëjë me “Rrënimin e objekteve të vjetra [të pashfrytëzuar] në kampin Vrella” që ndodhet në Lipjan.
Sipas njoftimit për dhënien e kontratës, thuhet se kompania përfituese ka ofruar çmimin më të ulët si përgjigje ndaj njoftimit të kontratës.
“Fer Petroll” dyshohet për mashtrim dhe shmangie tatimesh
Në vitin 2022, Dogana e Kosovës kishte ndërmarr një akison në tri pompa derivatës, në mesin e tyre edhe “Fer Petroll” nën dyshimet se kanë falsifikuar dokumente për t’iu ikur taksave.
“Si rezultat është zbuluar lirimi i bazuar ne dokumente te falsifikura nder vite, fillimisht nga keto tri subjekte që kanë deklaruar edhe ndërlidhjen mes vete. Dyshimi ështe se keto subjekte kanë liruar në import derivate duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit prej mbi 600 mijë euro gjatë tre viteve të fundit”, thuhet në njoftimin e Doganës.
“Fer Petroll” po dyshohet se ka nxjerrë në shitje për qytetarët derivatet e naftës të parapara për ambasadat në Kosovë e që janë të liruara nga akciza.
“Fer Petroll” po dyshohet se i ka shkaktuar dëm shtetit të Kosovës në vlerë prej mbi 60 mijë euro.
Lidhur me këtë rast, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar për Insajderin se ende është duke u hetuar për mashtrim për shmangie të tatimin për mashtrim përfaqësuesi i autorizuar i “Fer Petroll”, Jashar Gjoka.
“Referuar kërkesës suaj, lidhur me këtë rast ju njoftojmë se, janë duke vazhduar hetimet, ashtu që Gjykata Themelore në Prishtinë, më 08.03.2024 ka autorizuar zgjatjen e hetimeve, pra deri më 19.03.2025, sipas aktvendimit për fillimin e hetimit nga Prokurori i Shtetit, ndaj personave: F.Xh., H.H. dhe J.Gj”.
Gazeta Insajderi kishte raportuar para dy viteve se si kjo kompani kishte përfituar nga buxheti i Kosovës mijëra euro përmes shmangies nga tatimi dhe manipulime me çmimet e derivateve.