Janë vendosur disa kamera sigurie në pjesën veriore të Mitrovicës, apo saktësisht afër urës së Ibrit. Vendosja e këtyre kamerave është bërë nga Policia e Kosovës.
Lajmin për Gazetën Insajderi e ka konfirmuar zv/drejtori i policisë rajonale të Mitrovicës Veriore, Veton Elshani, i cili shtoi se arsyeja e vendosjes së këtyre kamerave është menaxhimi i pjesës veriore të Mitrovicës me qëllim parandalimin e veprave penale dhe zbulimin e tyre në rast se ndodhin.
“Policia e Kosovës është insitutcioni i vetëm që e bën kontrollimin me video mbikëqyrje të vendeve publike. Policia e kosovës në mandatin e saj e ka prioritet ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, parandalimin e veprave penale dhe zbulimin e tyre në rast se ndodhin, këto bëhen duke i vëzhguar vendet publike me kamera. Në suaza të kësaj, kemi bërë vendosjen e disa kamerave në pjesën veriore në afërsi të urës së Ibrit që e menaxhon pjesën veriore dhe një gjë e tillë do të vazhdojë në të ardhmen”, tha Elshani.
Ai tha se vendosja e kamerave është bërë edhe te “Tre Rrokaqiejtë”. Në total, Elshani u shpreh se është duke u bërë vendosa e 10 kamerave të reja.