Policia e Kosovës ka njoftuar se ka ndërmarrë “të gjitha veprimet e nevojshme” për trajtimin e rastit të rrahjes së një 16 vjeçareje nga xhaxhai i saj në Rahovec.
Policia e ka cilësuar si të papranueshme dhunën e ushtruar ndaj të miturës.
“Policia në konsultim me prokurorinë ka ndermarrë veprimet profesionale bazuar në fushëveprimin dhe autorizimet ligjore të saj, përderisa aspekti i trajtimit të viktimës nga aspekti social/edukativ dhe shëndetësor/mjekësor është realizuar nga autoritetet kompetente përgjegjëse”, njofton policia.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave zyrtare dhe konsideron se rastet e tilla të përdorimit të dhunës janë të papranueshme dhe se të gjitha veprimet policore kanë qenë dhe janë të orientuara në parandalimin e tyre si dhe marrjen e masave të menjëhershme ligjore ndaj secilit individ që përfshihet në perdorimin e dhunës apo nxitjen e saj në çfarëdo forme”, thuhet tutje në komunikatë.
Mediat publikuan pamje të një skene dhune në afërsi të shkollës 12 maji në Rahovec. Sipas nënës së 16 vjeçares, Zarifete Bytyqi, kunati i saj, Hidajet Bytyqi, kishte shkuar në shkollë për ta marrë vajzën, me kërkesën e saj, ngaqë kjo e fundit shumicën e orëve të mësimit i linte për të dalë në ndonjë nga lokalet në afërsi të shkollës “12 Maji”. E kur Bytyqi kishte shkuar për të marre vajzën nga shkolla, pas një grindje në mes tyre, ndodhi edhe rrahja.
Policia gjithashtu, inkurajon të gjithë qytetarët që rastet e tilla të raportohen me kohë tek organet kompetente në mënyrë që të veprohet në aspektin parandalues dhe rastet e tilla të mos përsëriten, thuhet në komunikatë.
https://youtu.be/VnHh0qjaXB8