Armatimi i gjetur dhe konfiskuar dje në Banjskë të Zveçanit ishte fshehur në banjon e një hoteli.
Policia ka gjetur një kallashnikov, katër karikatorë, 103 fishekë të kalibrave të ndryshëm, si dhe pajisje të tjera përfshirë kapelë, bluza dhe pantallona ushtarake, një thikë, shall ushtarak dhe antiplumb.
“ARMËMBAJTJE PA LEJE – Fsh. Banjskë, Zveçan 16.08.2024 – 15:15. Njësiti i hetuesisë gjatë kontrollit në banjon e një hoteli ka gjetur dhe konfiskuar: një AK-47, katër karikatorë, 103 fishekë kalibrash të ndryshëm, kapelë, bluza dhe pantallona ushtarakë, një thikë, shallë ushtarake, antiplumb me pajisje tjera. Rasti duke u hetuar”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë.
Rikujtojmë se më 24 shtator të vitit të kaluar, në Banjskë të Zveçanit një grup terrorist kishte sulmuar Policinë e Kosovës, ku kishte vrarë heroin Afrim Bunjaku.