Policia e Kosovës ka konfirmuar djegien edhe të tri veturave të tjera veri të vendit, përkatësisht në Leposaviq.
Policia ka bërë të ditur se pas mesnatës, në veri të vendit, në dy raste të ndara, tri veturave që iu përkasin qytetarëve të nacionalitetit serb u është vënë flaka.
Njëri rast ka ndodhur, më 1 prill 2023, në orët e hershme të mëngjesit (3:40h), në Leposaviq, afër qerdhes së fëmijëve, ku veturat ishin të parkuara skaj rruge.
Sipas policisë një veture me targa RKS i është vënë zjarri, po ashtu nga zjarri është përfshirë edhe një veturë tjetër me targa të Beogradit që ishte afër veturës me targa RKS.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe zjarrfikësit që kanë fikur zjarrin.
Rasti tjetër ka ndodhur po ashtu në Leposaviq, afër qendrës së sporteve, ku një veturë me targa RKS është djegur nga persona të dyshuar.
Në të dy rastet, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe zjarrfikësit që kanë fikur zjarrin.
Policia e Kosovës, njofton se është duke i hetuar këto akte me seriozitet dhe u ka bërë thirrje qytetarëve për bashkëpunim në gjetjen e autorëve dhe vënien e tyre para drejtësisë.
Brenda dy ditëve të kaluara, saktësisht më 30 dhe 31 mars janë djegur pesë vetura në veri të vendit.
Pas djegies fillimisht të dy veturave më 30 mars pas mesnatës, në veri të vendit është raportuar se nga persona të panjohur janë djegur edhe tri vetura që iu përkasin qytetarëve të nacionalitetit serb.