
Rreth orës 16:10, në afërsi të objektit komunal në Gjakovë, është raportuar një përleshje fizike mes nënkryetarit të komunës, Flamur Fetahaj, dhe përfaqësuesit të PDK-së në Komisionin Komunal Zgjedhor, Berat Hadri.
Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, Fetahaj ka pranuar trajtim mjekësor dhe, sipas raporteve mjekësore, ka pësuar lëndime të lehta trupore.
Hetimet fillestare tregojnë se rasti nuk ka prapavijë politike dhe dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje të mëhershme ndërmjet palëve.
“Rreth orës 16:10, në afërsi të objektit komunal në Gjakovë është raportuar se një zyrtar komunal është përfshirë në një përleshje fizike me një të dyshuar mashkull kosovar. Zyrtari në fjalë ka pranuar trajtim mjekësor dhe, sipas raporteve mjekësore, ka pësuar lëndime të lehta trupore. Sipas hetimeve fillestare, rasti nuk ka prapavijë politike dhe dyshohet se ka ndodhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje të mëhershme ndërmjet palëve. Aktualisht jemi në kërkim të personit të dyshuar dhe janë duke u ndërmarr veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e rastit”, ka deklaruar për Insajderin Elezaj.
Aktualisht, Policia është në kërkim të të dyshuarit dhe po ndërmerr veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.