
Policia e Kosovës ka arritur të konfiskoje mbi katër kilogram marihuanë gjatë një operacioni policor që fillimisht ishte nisur lidhur me dyshimet për vjedhje të veturave dhe falsifikim të dokumentacionit.
Operacioni policor është realizuar me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Prishtinë, dhe janë kontrolluar tri lokacione, në Komunën e Graqanicë dhe të Lipjanit. “Gjatë kontrollit të shtëpive të të dyshuarve, në njërën nga shtëpitë janë gjetur dhe konfiskuar: 4,262 kilogram substancë narkotike e dyshuar marihuana”, thuhet në një njoftim të Policisë së Kosovës.
Me këtë rast janë arrestuar tre persona të dyshuar të kombësisë serbe S. S. lindur me 1980, M.A.(1984), M.J (1984).
Siç njofton policia, dy të dyshuarit e parë janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa i dyshuari i tretë me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje.