
Policia e Maqedonisë ka përdorur gaz lotsjellës për të larguar qindra emigrantë nga rrethojat kufitare të dielën në një kamp refugjatësh në pjesën greke të kufirit, i ka thënë Reutersit një burim.
Gazi lotsjellës është hedhur në turmën e prej mbi 500 personave që ishin mbledhur në rrethojat e kufirit në kampin në Idomeni. Një burim nga policia greke ka thënë se ka pasur tensione në zonë, por nuk ka pranuar ta komentojë më tej ngjarjen.
Një zyrtar maqedonas, që kërkoi të mbetej anonim, ka thënë se një grup i madh migrantësh janë larguar nga kampi në Idomeni mëngjesin e sotëm dhe kanë mësyrë rrethojat, raporton Reuters.
“Ata kanë hedhur gurë në drejtim të policisë maqedonase. Policia ka hedhur gaz lotsjellës si kundërreagim”, ka thënë zyrtari, transmeton Koha.net.
“Migrantët po e shtynin rrethojën nga ana e kufirit grek. Rrethoja ende është ashtu, nuk ia dolën që të depërtonin”.
Mbi 10 mijë migrantë e refugjatë kanë jetuar në kampin e tendave në Greqi që nga muaji shkurt, të ngujuar atje pas mbylljes së kufijve në Ballkan.
Emigrantët në Idomeni po kërkojnë që kufiri me Maqedoninë të hapet, por nuk emigrantë janë lejuar me javë të tëra të kalojnë kufirin, shkruan Reuters.
Bashkimi Evropian është duke zbatuar një marrëveshje sipas së cilës të gjithë emigrantët në Greqi do të dërgohet përsëri në Turqi, nëse ata nuk i plotësojnë kriteret e azilit./Insajderi.com