Policia e rajonit të Prishtinës realizoi tri operacione të befasishme në tri lokacione të ndara, me ç ‘rast rezultoi kapja e tre personave të kërkuar me urdhër-arreste aktive për vepra të rënda penale.
Operacioni i parë u zhvillua rreth orës 11:00, në rrugën “Rexhep Luci“ në Prishtinë, me ç’ rast njësitet policore pasi lokalizuan të dyshuarin i cili ishte i dënuar me shtatë muaj burg efektiv për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor“ reaguan me shpejtësi duke arrestuar të njëjtin.
Operacioni i dytë u ndërmor rreth orës 14:00, në rrugën “Xheladin Hana“ në Prishtinë, ku pas marrjes së informacioneve në rrugë operative, zyrtarët policor arritën të lokalizojnë dhe të kapin të dyshuarën e dënuar me tetë vite burgim efektiv për veprat penale “Shpërlarja e parave” si dhe “Financimi i terrorizmit”.
Operacioni i tretë zuri vend rreth orës 15:00, në rrugën “Nazim Gafurri” në Prishtinë, me ç’ rast, pasi lokalizuan vendndodhjen, oficerët policor kapën në befasi të dyshuarin i cili ishte i dënuar me 3 vite burg efektiv për veprën penale “Mashtrimi“.
Të gjithë të arrestuarit, në përputhje me vendimet e gjykatës, u transferuan në qendrat përkatëse për vuajtjen e dënimit.