Policia e Kosovës njofton se si pasojë e gjuajtjeve me ngjyrë ndaj veturës së ministrit të Punëve të Brendshme Skender Hyseni dhe pamundësisë së pamjes derisa ajo ishte në lëvizje, atij dhe pjesëmarrësve të tjerë u është rrezikuar jeta.
“Vetura në fjalë është aksidentuar me dy vetura civile, të cilat gjendeshin në atë lokacion”, njofton policia.
Policia njofton se lidhur me rastin që është cilësuar si ‘sulm ndaj personit zyrtar, dëmtim apo asgjësim i pronës së luajtshme’, jandë ndërmarrë veprimet e menjëhershme policore për hetimin.
“Rasti po trajtohet në tërësi, duke përfshirë edhe hetimin ndaj personave të dyshuar të përfshirë në këtë rast”, thuhet në komunikatën e policisë.
Gjithashtu, policia ka shpjeguar edhe veprimet që kishte ndërmarrë për ndalimin e aktivistëve nga Shqipëria të Lëvizjes Vetëvendose, si rezultat i së cilës sot ky subjekt politik e sulmoi me ngjyrë ministrin Hyseni.
Këto veprime sipas policisë janë ndërmarrë sipas procedurave ligjore dhe se në asnjë rast nuk është vepruar mbi baza politike ashtu siç pretendohet.
“Policia e Kosovës i vlerëson të drejta të gjitha veprimet e ndërmarra të cilat janë profesionalisht të argumentuara dhe ligjërisht të bazuara lidhur me rastin e hyrje/daljeve dhe qëndrimit/dëbimit të shtetasve të huaj në/nga Republika e Kosovës”, shkruan në njoftimin e PK-së. /Insajderi.com