Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë e Policisë njësia në Ferizaj, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore për Krime të Rënda në Ferizaj, ka arrestuar tre persona pasi gjatë një bastisjeje është gjetur drogë duke u përpunuar në një laborator.
Gjatë këtij operacioni të koduar “QAFA 2”, u krye një bastisje në fshatin Sllakovc i Epërm, Komuna e Gjilanit.
Në vendngjarje u arrestuan tre persona: dy shtetas sllovakë me inicialet N.H. dhe L.A., të cilët ishin duke përpunuar substanca kimike narkotike si ekspertë, dhe një shtetas kosovar, pronar i shtëpisë, me inicialet S.I.
Në shtëpinë e kontrolluar, në dy dhoma të veçanta, të dyshuarit kishin ngritur një laborator klandestin për prodhimin e drogës sintetike të dyshuar të llojit Methamphetamine. Në vendngjarje u gjetën:
Substanca të lëngëta prekursore (acid), sasia e të cilave mbetet të konfirmohet;
Një pjesë e përpunuar në formë të ngurtë;
Rreth 10 litra substancë ende në proces të lëngët.
Ekipet relevante policore, përfshirë Forenzikën Qendrore, ekspertët e laboratorit të Forenzikës dhe Njësinë për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive, u paraqitën në vendngjarje për të dokumentuar provat.
Prokurori i rastit dhe kryeprokurori nga Ferizaj ishin gjithashtu të pranishëm.
Pas këtij aksioni, u kryen bastisje në katër lokacione të tjera, përfshirë një dhomë hoteli, një banesë dhe një shtëpi në fshatin Prelez të Ferizajt, por nuk u gjetën materiale të dyshuara.
Të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa droga, pajisjet e laboratorit, mjetet ndihmëse dhe një veturë e llojit Shkoda janë sekuestruar si prova materiale.
Hetimet po vazhdojnë në koordinim me organet e drejtësisë për zbardhjen e plotë të rastit.