![](https://a3748898.delivery.rocketcdn.me/wp-content/themes/insajderi-org/logo/menu-insajderi.png)
Policia e Kosovës ka publikuar dokumentet që u janë dërguar në emaile disa qytetarëve në emër të Policisë së Kosovës dhe EUROPOL-it.
Në komunikatën e lëshuar të enjten, Policia tha se dokumentet e dërguara nuk janë zyrtare, nuk përmbajnë formatin dhe shkrimin e zyrtarëve të PK-së dhe “nuk janë lëshuar nga adresat zyrtare të Policisë së Kosovës”.
“Siç e kemi theksuar në sqarimin e parë, tani edhe në sqarimin e dytë e ri-theksojmë se, në e-mailin dhe dokumentin e falsifikuar, janë përdorur emrat e zyrtarëve të lartë të PK-së dhe logot e ndryshme, por se ri potencojmë se nuk janë dokumente zyrtare, nuk përmbajnë formatin dhe shkrimin zyrtar të PK-së, si dhe nuk janë lëshuar nga adresat zyrtare të Policisë së Kosovës. Me qëllim që të sqarohet opinioni dhe personat të cilët mund të pranojnë ndonjë e-mail apo dokument të tillë, Policia e Kosovës i bën publike këtë dokument të falsifikuar dhe formën e e-malit po ashtu të falsifikuar, të cilat i gjeni të bashkangjitura, me qëllim që të mos krijojë shqetësime të panevojshme te qytetarët”, thuhet në njoftim.
Policia u bëri thirrje qytetarëve dhe të mos bien pre e dezinformatave apo mashtrimeve të tilla.
Në dokumentin e falsifikuar, pretendohet se emaili është dërguar me mandat të zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë në partneritet me Byronë Qendrore të EUROPOL-it në Prishtinë.
“Unë ju njofton për një konfiskim të kompjuterizuar të infiltrimit kibernetik të kapur në adresën tuaj të protokolit të internetit IP në lidhje me: pornografi e fëmijëve, pedofili, pornografi kiber, ekspozita dhe groming”, thuhet në dokumentin fals.