
Policia e Kosovës ka arrestuar një person nën dyshimin për posedimin e pesë kilogramëve marihuanë. Ngjarja ka ndodhur të mërkurën.
Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media, ku thuhet se pos tjerash të dyshuarit i janë sekuestruar edhe 40 euro dhe një telefon mobil.
“Me datën 08.10.2025 Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë-Gjakovë pas pranimit të informacioneve se i dyshuari mashkull kosovar është duke kryer veprën penale blerje, shitje e substancës narkotike, ka ndërmarrë veprime të menjëhershme operative dhe hetimore të cilat kanë rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar mashkull si dhe sekuestrimin e narkotikëve të llojit marihuanë”, thuhet në njoftim.
“Në konsultim me prokurorin kompetent dhe me urdhër verbal për kontroll, DHTN, në bashkëveprim edhe me stacionin policor –Gjakovë, ka realizuar kontrollin në pronën e të dyshuarit mashkull kosovar ku janë gjetur dhe janë sekuestruar provat materiale”, vijon njoftimi. /Insajderi.org/