Policia e Elbasanit ka shoqëruar për verifikim 46 persona, të cilët dyshohen se mund të kenë dijeni për atentatin e mbrëmshëm në lagjen “Kras”, ku mbetën të vrarë tre persona dhe u plagosën tetë të tjerë.
Mediat në Shqipëri raportojnë se forcat speciale Renea, ato të ndërhyrjes së shpejtë dhe Policia e Elbasanit kanë bërë dhjetëra kontrolle në banesa, në Elbasan, Peqin, Cërrik, Librazhd e Gramsh.
Po ashtu, janë kontrolluar mbi 150 garazhe makinash në hyrje të pallateve si dhe janë ndaluar për verifikim dhjetëra automjete në akset brenda dhe jashtë Elbasanit.
Mbrëmjen e kaluar autorët e maskuar si policë hapën zjarr në drejtim të një lokali, duke lënë të vdekur Agron Çapjan 50 vjeç , Ardit Sinakolin 27 vjeç dhe Eno Bedallin 38 vjeç . Tetë të plagosurit u transportuan në mbrëmje në spitalin e Politraumës në Tiranë me plagë të shumta në trup. Policia dyshon se bëhet fjalë për hakmarrje mes dy fiseve Çapja e Mema.
Në vendin e ngjarjes u gjetën dy armë zjarri automatike dhe 65 gëzhoja, ndërsa 500 metra larg lokalit u gjet dhe një tjetër armëm, që mendohet të jetë përdorur nga autorët./Insajderi