
Policia e Kosovës ka njoftuar të martën se ka ndërmarrë masa të nevojshme për të garantuar sigurinë gjatë vizitës së zëvendëspresidentit amerikan Joe Biden, i cili pritet të mbërrijë në Prishtinë në orët e mbrëmjes.
Përmes një komunikatë për media, Policia e Kosovës njofton se në bashkëpunim me institucionet tjera relevante, si dhe në koordinim të aktiviteteve bashkëvepruese me strukturat e sigurisë së SHBA-së, që janë përgjegjëse për sigurinë e Zëvendës Presidentit Amerikan, ka ndërmarrë masa për ngritjen e nivelit të sigurisë gjatë realizimit të kësaj vizite në Kosovë.
“Përveç angazhimeve të tjera në aspektin e rendit dhe sigurisë, masa respektive janë ndërmarr edhe për menaxhimin dhe kontrollin e trafikut rrugor, ku në intervale të caktuara kohore në lokacione specifike sipas planit është paraparë edhe ndalimi i përkohshëm për qarkullim i disa rrugëve, si dhe përdorimi i rrugëve tjera alternative në mënyrë që të garantohet lëvizja apo qarkullimi pa pengesa”, thuhet në komunikatë.
Gjatë realizimit të këtij plani operacional, policia njofton se do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit nëpër rrugët si në vijim:
Nga ora 18:00 nuk do të lejohet qasja e veturave në rrugën “Tringë Smajli” para hotelit “Sëiss” në Prishtinë deri në përfundim të vizitës ndërsa të nesërmen nga ora 08:00 do të ndalohet për qarkullim rruga “Agim Ramadani” nga Sllovenia Sport deri te rreth-rrotullimi te ish Gjykata e Qarkut prapa Komunës, rruga e UÇK-së deri te udhëkryqi me rrugën “Migjeni”.
Gjithashtu edhe sheshi “Ibrahim Rugova” deri te sheshi Skënderbeu do të jetë i bllokuar nga ora 08:00 deri në largimin e personalitetit.
Në rajonin e Ferizajt, rruga Bibaj – Dardani dhe anasjelltas do të jet e ndaluar për qarkullim nga ora 11:00 deri 16:00, të datës 17.08.2016, përderisa zyrtarë policor janë paraparë të orientojnë qarkullimin në rrugën alternative; Gjilan-Kllokot –Viti – Gerlic – Ferizaj dhe anasjelltas, një njësi policore do të vendoset në udhëkryqin e Kllokotit dhe do i orienton/udhëzon qytetaret të cilët destinacion e kanë Ferizajn, njofto policia./Insajderi.com