Policia e Kosovës luftën kundër mallrave kontrabanduese që po vijnë nga Serbia po e bën duke konfiskuar çokollata e drunj.
Kësaj radhe, ata kanë konfiskuar 70 metra dru në fshatin Velegllavë të Kamenicës. Një gjë e tillë është bërë e ditur me njoftim zyrtar nga PK-ja, shkruan Gazeta Insajderi.
“Policia e Kosovës, respektivisht njësitë policore nga Policia Kufitare, gjatë kryerjes së detyrave të rregullta, përgjatë vijës kufitare në zonën e fshatit Velegllavë, kanë hasur në drunj të disa llojeve të ndryshme, si: ahu, plepi dhe qershia, në sasi prej 70 (shtatëdhjetë) metër kub”, thuhet në njoftimin e PK-së.
“Pas gjetjes së kësaj sasie të drunjve, të cilat dyshohet se në territorin e Republikës së Kosovës janë sjellë nga territori i Serbisë, zyrtarët policorë kanë arritur të zbulojnë se kjo sasi e drunjve i përket të dyshuarit mashkull me iniciale A. L. viti i lindjes 1985”, vijon njoftimi.
A.L. iu është iniciuar rasti për “kontrabandim me mallra”.
Përgjatë ditës së djeshme, PK-ja njoftoi se kishte konfiskuar 150 çokollata “Snickers” në veri. /Insajderi.org/