×
  • Lajme
  • Lajme

    Policia vazhdon t’i “çarmatos” kosovarët- Bastisje e kontrolle, arreston persona në lokacione të ndryshme

    Insajderi
    15 September 2024 - 09:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Policia e Kosovës duket se ka vënë në cak personat që mbajnë armë pa leje.

    Në raportin ditor të Policisë së Kosovës, përmenden gjashtë raste të arrestimeve për armëmbajtje pa leje, raporton Insajderi.

    Në Prizren, Policia e Kosovës ka njoftuar për dy raste të ndryshme për armëmbajtje pa leje. Në një punë operative, mëngjesin e së mërkurës policia në këtë komunë ka bastisur dy shtëpi ku ka gjetë një pistoletë me karikatorë dhe dy fishekë.

    SHKAKTIM I RREZIKUT TË PËRGJITHSHËM&ARMËMBAJTJE PA LEJE- Rr. Pal Paluca, Prizren  11.09.2024-02:00. Njësia policore pas një pune operative ka arritur të identifikoj dhe të arrestoj dy të dyshuarit meshkuj kosovar dhe në konsultim me prokurorin është bërë bastisja në shtëpitë e të dyshuarve ku gjatë kontrollit është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me karikatorë dhe dy fishekë. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit të dyshuari janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e PK’së.

    Ndërkaq në Krushë të Vogël të Prizrenit është arrestuar një person pasi që i njëjti dyshohet të ketë shtënë me armë zjarri të llojit “Zoraki” në një aheng familjari. I njëjti është dërguar në mbajtje.

    Për dy raste të tjera për armëmbajtje pa leje Policia ka njoftuar edhe për në Komunën e Skenderajt. Sipas raportit ditor të Policisë së Kosovës, dy të dyshuar besohet t’ia kenë plagosur qenin një ankuesi, ku më pas iu janë konfiskuar dy pushkë gjuetie.

    Po ashtu, në pasditen e së shtunës në Skenderaj policia në një rast tjetër ka kontrolluar shtëpinë e një të dyshuari dhe janë konfiskuar dy pushkë gjuetie dhe dy revole. I dyshuari më pas është dërguar në mbajtje.

    Policia e Kosovës ka arrestuar gjithashtu edhe dy persona në Komunën e Gjakovës për sulm fizik dhe armëmbajtje pa leje.

    PËRDORIM I ARMËS / ARMËMBAJTJE PA LEJE – Gjakovë  12.09.2024-12:20. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovar pasi që, të njëjtit kishin sulmuar fizikisht dy viktimat meshkuj kosovar si dhe njëri nga të dyshuarit ka shtënë me armë zjarri në ajër. Gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarve  janë gjetur dhe sekuestruar; tri pistoleta, shtatë fishekë të cal.9×19, një pushkë ajrore, një karikatorë dhe një gëzhojë. Pas intervistimit me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e PK’së.

    Mbrëmjen e të shtunës përgjatë një kontrolli Policia e Kosovës në Podujevë kanë arrestuar një të dyshuar pasi të njëjtit i kanë gjetur një armë zjarri dhe një boks hekuri.

    “ARMËMBAJTJE PA LEJE- Rr. Zahir Pajaziti, Podujevë 14.09.2024-19:42. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që, gjatë kontrollit tek i njëjti është gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri me një karikator, me 12 fishek dhe një boks hekuri. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, përfundon njoftimi i PK’së në raportin ditor. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark