Policia e Kosovës ka dhënë të shtunën detaje të tjera rreth vetëvrasjes së dorasit të gruas shtatzënë.
Në raportin 24-orësh të Policisë thuhet se në vendin ku dorasi ka kryer vetëvrasjen është gjetur një pistoletë me një karikator pa fishekë.
“Njësitë policore kanë zhvilluar një aksion për arrestimin e të dyshuarit kosovar lidhur me rastin vrasje. Gjatë intervenimit është arritur që të largohen anëtarët e familjes nga shtëpia, ndërsa i dyshuari nuk ka pranuar negocimin me policinë dhe ka qëlluar veten me revole”.
“Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor”.
“Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me një karikator pa fishekë dhe një predhë. Përveç njësive të nevojshme policore në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin e Policisë.
Sokol Halili ka vrarë me armë zjarri të mërkurën bashkëshorten e tij me të cilën ishte në procedurë divorci, Hamide Magashin. E ndjera është qëlluar për vdekje para Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, derisa ishte në javën e 41 të shtatzënisë.