Policia e Kosovës ka sqaruar se arrestimi i kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, u bë me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë me qëllim të “sigurimit të prezencës” në seancë gjyqësore.
“Urdhëresa e nxjerrë në muajin shkurt të këtij viti, ka specifikuar detyrimin për policinë, që të pandehurin V.Y me datën 02.03.2016, në ora 09:30, ta dërgoj në Objektin e Pallatit të Drejtësisë, saktësisht në Gjykatën themelore”, njofton policia.
Ymeri u arrestua sot në banesën e tij ku jeton. Ndaj tij ka një urdhërarrest nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë në lidhje me një fjalosje dhe sulm ndaj deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu.
Ymeri nuk ishte paraqitur në seancën gjyqësore të thirrur më herët për këtë rast.
Në ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje thotë se arrestimi i tij u bë për motive politike.
“Arsyet e kësaj përndjekje mesjetare janë tërësisht politike, duke qenë se për gjashtë muaj me radhë Lëvizja VETËVENDOSJE! ka arritur të bllokojë marrëveshjet e dëmshme për vendin, atë për “Zajednicën” dhe “Demarkacionin”, thuhet në një komunikatë dërguar nga kjo parti./Insajderi