Policia e Kosovës zbulon fabrikën në të cilën dyshohej se në mënyrë të kundërligjshme bëhej përpunimi, prodhimi dhe distribuimi i pijeve alkoolike të falsifikuara.
“Gjatë analizave dhe përpunimit të të dhënave operative, bazuar në autorizimet përkatëse nga prokurori i shtetit, Policia e Kosovës, ka realizuar bastisjen e tri lokacioneve të ndryshme në kuadër të komunës së Leposaviqit: një në fshatin Banoviqe ku është identifikuar laboratori dhe dy të tjera bastisje në Leshak të Leposaviqit, ku është identifikuar një depo dhe bastisja e një hapësire banesore, ku janë gjetur dhe sekuestruar material i provave të cilat do të përdoren për ndërmarrjen e veprimeve të mëtutjeshme ligjore”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në vendngjarje policia ka identifikuar pajisjet (makinerinë) ilegale për prodhimin dhe mbushjen e pijeve alkoolike; ambalazhe për mbushjen e pijeve të ndryshme alkoolike; një sasi të shumtë të etiketave për pije të ndryshme alkoolike; kapak për mbyllje të shisheve, si dhe ambalazhe për paketimin dhe distribuimin e mëtejmë.
“Lidhur me rastin e regjistruar, Policia e Kosovës ka identifikuar dhe ka arrestuar një person, si të dyshuar lidhur me veprimtari kriminale sipas nenit 267 të Kodit Penal të Kosovës “prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë” dhe nenit 306 “prodhimi i ndaluar”, thuhet më tej në njoftim.
Policia thotë se të gjitha veprimet e mëtejme hetimore lidhur me sekuestrimin dhe procedimin e provave të mbledhura do të zhvillohen nga hetuesit e njësisë përkatëse të hetuesve rajonalë të Drejtorisë së Policisë të Mitrovicës veri, në konsultim me prokurorin e Shtetit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë./Insajderi.com