
Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi ka kritikuar kryeministrit, Albin Kurti për qasjen e tij ndaj aleatëve ndërkombëtar.
Gjoshi përmes një shkrimi në Facebook, ka shkruar se “ditën që e kuptoi se ka rënie të madhe në elektorat dhe që kjo rënie nuk po din të ndalet, Albin Kurti ka filluar t’i shkruaj letra qortuese BE-së, pa arritur të dallojë se në çfarë gjuhe flitet me miq”.
Sipas tij Kurti këtë po e bën duke tentuar të rikthej besimin e qytetarëve.
“Duke tentuar që ta kompensojë humbjen e madhe të besimit të qytetarëve, edhe të atyre që i besuan me sy mbyllur, po krijon tensione dhe rreziqe të panevojshme me Aleatët e Republikës së Kosovës, të cilët ndihmuan në lirinë dhe pavarësinë e saj”, ka shkruar ai.
Ndërkohë ai është shprehur se politika e tillë populiste dhe pa kokë e z. Kurtit, jo vetëm që do të krijojë frikë e panikë të panevojshme, por po rrezikon seriozisht raportet me SHBA-të dhe BE-në.
“Kjo politikë, me rezultatin e saj katastrofal, do të ishte dhurata më e mirë per Vuqiqin”, ka shkruar Gjoshi.