Megjithëse një vend i vogël, me ekonomi të prapambetur dhe në dukje, pa ndonjë interes ekonomik në SHBA, Shqipëria e vogël ka aktualisht gjashtë dosje aktive në zyrën e regjistrimit të agjentëve të huaj në Departamentin e Drejtësisë të SHBA-së, ndërkohë që vende si Britania e Madhe e India kanë nga pesë secila.
Partia Socialiste punësoi një lobist në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 13 prill, duke e rritur numrin e agjentëve të huaj që përfaqësojnë interesa ‘shqiptare’ në gjashtë, në listën e Departamentit të Drejtësisë për agjentët e huaj.
Sipas kontratës së publikuar, Partia Socialiste do t’i paguajë kompanisë Ballard Partners 20 mijë dollarë në muaj për 12 muaj radhazi, gjithsej mbi 240 mijë dollarë.
Kjo është një shumë e majme dhe dukshëm disproporcionale me buxhetin që Partia Socialiste pretendon se ka në një vit normal.
Socialistët deklaruan se për vitin 2016 kishin 86 milionë lekë të ardhura dhe 73 milionë lekë shpenzime. Por e njëjta parti, ka vendosur të shpenzojë 240 mijë dollarë, (plot 30 milionë lekë) ose sa 40 për qind e të ardhurave të deklaruara vjetore të vitit 2016, për të përmirësuar marrëdhëniet që ka me Shtetet e Bashkuara.
Para Partisë Socialiste, ka qenë Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim që paguan shuma të majme për të lobuar në Shtetet e Bashkuara.
Për më shumë mund të lexoni në Reporter.