Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një emision televiziv në Serbi tha se vendi i tij po përballet me një periudhë të vështirë për shkak të Kosovës dhe Republikës Sërpska në Bosnje e Hercergovinë.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar politikani boshnjak Denis Beqiroviq, i cili thotë se s’duhet tërhequr paralele mes dy vendeve, njofton Klan Kosova.
“Përfaqësuesit e shtetit të Bosnjë dhe Hercegovinës, si dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, duhet t’i dërgojnë një mesazh të qartë Vuçiqit se Kosova dhe entiteti me shumicë serbe i Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska, nuk mund të futen në një thes”, tha ai.
“Është e papranueshme dhe e pabazë të tërhiqet ndonjë paralele mes Kosovës dhe Republikës Sërprska. Vuçiq duhet ta dijë se Kosova ishte një krahinë autonome në kuadër të federatës jugosllave dhe se kishte përfaqësues të saj në institucionet më të larta të ish-Jugosllavisë. Vuçiq duhet të kujtojë përgjithmonë se Bosnja e Hercegovina nuk do të paguajë çmimin për politikën e gabuar serbe, e cila shkeli sistematikisht të drejtat e shqiptarëve në Kosovë, si dhe kreu krime të shumta dhe dëbime masive të popullatës shqiptare”.
“Nga ana tjetër, Republika Sërpska nuk ekzistonte në Jugosllavi apo Bosnje e Hercegovina deri në nënshkrimin e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, kur u pozicionua si një entitet në shtetin e pavarur, sovran dhe të pandashëm të Bosnje e Hercegovinës”, ka thënë ai, shkruan Sarajevo Times.
Gjithashtu, Beqiroviq theksoi se Vuçiq duhet të mos e harrojë që se liderët më të lartë politikë dhe ushtarakë në entitetin e BeH të Republikës Sërpska u dënuan në gjykatat më të larta botërore për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime të tjera, si dhe që Serbia nuk e pengoi gjenocidin, megjithëse ishte e detyruar ta bënte këtë sipas konventave zyrtare të Kombeve të Bashkuara.