
Nigel Farage, ka ndërmarrë një sulm të ashpër ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, duke thënë që ai “t’i marrë mbrapsht të gjithë kriminelët e tij”, pasi udhëheqësi socialist kritikoi Britaninë pas Brexit-it.
Nigel iu përgjigj komenteve të Ramës në GB News, duke theksuar se “një në 50 shqiptarë në Britani ndodhet në burg” dhe duke kërkuar kthimin e menjëhershëm të tyre në Shqipëri, raporton Albeu.
“Kryeministri shqiptar na ofendon për Brexit-in dhe thotë se Britania është ‘në një vend të errët, duke kërkuar vende ku të hedhë emigrantët’,” tha Nigel.
Ai shtoi se Rama pretendon se, “shumë prej gjërave që themi pas Brexit-it janë bërë ‘krejtësisht të papranueshme, krejtësisht qesharake, krejtësisht të turpshme’”.
Nigel e akuzoi Ramën për hipokrizi, duke iu referuar vetë negociatave të Shqipërisë për të pranuar emigrantë nga vende të tjera.
“Si mund të na kritikojë ai, kur kaloi muaj të tërë duke negociuar me kryeministren italiane, Giorgia Meloni”, tha Nigel, duke iu referuar diskutimeve për marrjen nga Shqipëria të emigrantëve që kalojnë Mesdheun nga Italia.