Dy gratë më të pushtetshme në vend po “përballën” me njëra-tjetrën duke përdorur këngët e Dafina Zeqirit e Gilit. Vjosa Osmani presidente e vendit, e Donika Gërvalla-Schwarz zëvendëskryeministre njëherit ministre e Punëve të Jashtme. Por, në të kaluarën situata ishte krejt ndryshe. Gërvalla i shkonte nga mbrapa Osmanit, madje bashkë formuan edhe një parti.
“Nëse ka një politikan të vetëm në Kosovë, i cili iu ka qëndruar konsistent qëndrimeve të tij parimore dhe të drejta, me gjithë presionin e pamasë, ai e ka emrin Vjosa Osmani”, deklaronte Gërvalla në mars të 2020-ës.
Ndërkohë, mbrëmjen e 30 korrikut, ishte Donika Gërvalla e para ajo që nisi ta thumboj presidenten Vjosa Osmani. Teksa e njëjta e lartësoi deri në qiell kryeministrin Albin Kurti. E quajti ‘super-star’.
Në koncertin që u mbajt të martën në sheshin “Skënderbeu”, Gërvalla u paraqit pas këngëtares Dafina Zeqiri.
“Pasi Dafina e këndoi këngën e presidentes llafe-llafe dëgjuam kryeministrin dhe mesazhin e tij, më mbetet të ju falënderoj nga zemra”, deklaroi Gërvalla, përcjell Insajderi.
Ky thumb erdhi për Osmanin pasi e njëjta ishte deklaruar më herët se i pëlqen kjo këngë.
Një ditë më vonë në një konferencë për media, Osmani gjeti momentin dhe ia ktheu ‘disin’ Gërvallës.
“Për detaje rreth raporteve tona flasim ndonjëherë tjetër. Por Dafina e ka një këngë tash që e ka publiku ‘me kast me kast mjeshtër i mashtrimeve, me kast me kast përsëritës i gabimeve’. Ka edhe kangë tjera Dafina, përndryshe përpunim i këngës së Gilit”, deklaroi Osmani.
Krisja e raporteve u vërejt edhe me mos prezencën e Kurtit sot në takimin e presidentes me liderët politikë.
Osmani bëri të ditur se kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti nuk erdhi në takimin konsultativ për datën e zgjedhjeve.
Ajo pretendoi se Kurti është në zyrë dhe i sugjeroi gazetarët të shkojnë ta pyesin pse nuk mori pjesë.
E pyetur pse nuk e pranoi Glauk Konjufcën si nënkryetar i VV’së, Osmani tha se nuk deshi t’i thyente parimet.
/Insajderi