Shkruan: Ardi Shita
Agjencia e Bizneseve (ARBK) në kuadër të MINT nxjerr Vendim mbi “pezullimin e Certifikates se Biznesit” të një shoqërie tregtare – KLAN Kosova.
Baza e nxjerrjes se Vendimit thuhet se është Neni 10 i Ligjit për Shoqëritë Tregtare ndërsa “pezullimi” është bërë sipas nenit 85 të Ligjit për Procedurë të Përgjithshme Administrative.
Kjo është e turpshme edhe nëse e shkruan një student i mjekësisë, e lëre më Drejtoria e ARBK-së. Tash, jashta popullizmit, disa komente juridike:
1. Neni 10 i Ligjit për Shoqëri Tregtare (LSHT) flet për kompetencat e Drejtorit të Përgjithshëm për të nxjerr vendime dhe udhëzime për procesin e rregullimit të shoqërive tregtare (lexo: kompanive) dhe në mënyrë shprehimore përcakton se Drejtori NUK mund të vendos kërkesa ose kufizime që nuk janë të parapara me atë ligj.
2. Ligji për Shoqëri Tregtare në asnjërin nga 270 nenet e tij NUK përcakton mundësinë ose konceptin e “pezullimit” të një Certifikate të Biznesi të një kompanie në Kosovë!
3. Referimi në nenin 85 të Ligjit për Procedurë të Përgjithshme Administrative është absurditeti i rradhës i këtij Vendimi. Neni 85 flet për trajnimin e cështjeve paraprake gjatë një procedure administrative. Nuk është aspak relevant me rastin konkret. Për zbatimin e nenit 85 kërkohet që paraprakisht pala (kompania) të jetë në një proces administrativ në të cilin kërkon një të drejtë ose sipas të cilit i është mohuar një e drejtë. Kjo cështje nuk ka asnjë lidhje me cështjen e trajtuar nga ARBK në këtë Vendim.
4. Ushtrimi i veprimtarisë në fushën e shërbimeve mediale audio-vizuale në Kosovë rregullohet sipas Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave, i cili lëshon licenca për transmetim – si organ i pavarur dhe kategori kushtetuese. Ligji për Shoqëri Tregtare (në kuadër të të cilit vepron ARBK/MINT) në nenin 2.2 shprehimisht përcakton se “rregullat për lëshimin e lejeve, licencave ose formave të tjera të lejimit […] të shoqërive tregtare NUK janë në fushëveprim të këtij Ligji.
5. Shoqëria Tregtare SHPK është person juridik i PAVARUR nga aksionarët (lexo: pronarët) e saj (neni 75 i LSHT-së). Cështjet e shitblerjes së aksioneve dhe lëvizet e pronarëve fundor nuk prekin ekzistencën ose mos-ekzistencën e personit juridik. Në analogji, kjo është sikurse të dyshohet në mënyrën e zgjedhjes së Kuvendit të Kosovës dhe rrjedhimisht të “pezullohet” ekzistenca e shtetit. Aksionet janë pronë personale e aksionarëve, fati i personit juridik (SHPK-së) nuk varet nga lëvizjet/transaksionet me aksione të Shoqërisë.
Përmbledhje e shkurtuar:
– Certifikata e biznesit NUK pezullohet për shkak se nuk ekziston asnjë instrument ligjor për “pezullim”;
– ARBK nuk ka kompetenca për lëshim të akteve pezulluese sipas Ligjit për Shoqëritë Tregtare. Drejtori i Përgjithshëm kryen funksione administrative të përcaktuara shprehimisht me ligj, jo me teke dhe dëshira muzikore;
– Autoritet licencues dhe rregullator i mediave audio-vizuele është KPM si institucion i pavarur dhe kategori kushtetuese – JO institucionet e administratës qeveritare;
– SH.P.K. është person juridik. Transaksionet me aksionet e SH.P.K. nuk e cenojnë ekzistëncën e SH.P.K.-së