
Dy punëtor kanë humbur jetën në vendin e punës në Gjakovë të hënën. Derisa ata ishin duke punuar në një objekt ndërtimi, kanë rënë nga lartësia e objektit dhe si pasojë e plagëve të marra kanë ndërruar jetë, shkruan Insajderi.
Lidhur me këtë rast tragjik Policia e Kosovës ka arrestuar dy biznesmen. Pos Xheladin Pozhegut, i arrestuar është edhe biznesmeni Albert Margegaj. Insajderi merr vesh qe Prokuroria tashme ka kërkuar 30 ditë paraburgim.
Në këtë rast, kompania e Xheladin Pozhegut është si investitor, derisa firma “MIA Group” shpk e Margegajt është punekryesi në terren.
Insajderi raportoi dje se dy viktimat e këtij aksidenti tragjik janë Hazir Jakupi, ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Daut Bajraktari.
Të dy viktimat janë rreth moshës 50-vjeçare.
Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe Inspektorati i Punës. Në reagimin e tyre thuhet se subjekti ku ndodhi aksidenti ishte gjobitur më herët për shkelje të përsëritura të ligjeve të punës.