Posterët me mbishkrimin “Komandanti suprem, po të presim” dhe fotografinë e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në katër komunat veriore të Kosovës kanë ngjallur reagimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Sveçla me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka paralajmëruar se nëse Vuçiq niset në Kosovë pa marrë leje në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, do të arrestohet, shkruan Gazeta Insajderi.
“I paskan ngjitur tinëz gjatë natës disa postera në veri të Kosovës. Aty thonë që po e presin presidentin e Serbisë të vijë duke e quajtur atë ‘komandant’. Nëse është nisur pa kërkesë te Ministria jonë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, edhe ne po e presim të vijë dhe mandej mund ta vizitoni në burg, ku ai i ka tashmë disa miq të tij”, ka thënë ai në ‘Facebook’.
Mediat serbe kanë raportuar gjatë së dielës se këto postere janë vendosur në ndërtesa, shtëpi, lokale dhe hapësira publike.
Lidhur me rastin janë në dijeni edhe Policia e Kosovës. /Insajderi.org/