
Tenderi për sigurimin fizik të objektit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, i paraparë të jepet në formë të negociuar, ka ngecur. Për pasojë, 300 punonjës të sigurisë kanë ngelur pa punë.
Gazeta Insajderi ka hulumtuar prapaskenat e këtij tenderi, ku ka marrë vesh se vendimi i marrë nga Organi Shqyrtues i Prokurimit për pezullimin e kontratës së dhënë është bazuar i tëri në raportin e ekspertes Hafseje Zejnullahu.
Përveç si eksperte e jashtme, Zejnullahu është e angazhuar edhe në Komunën e Skenderajt, ku nënkryetar i saj është Sami Lushtaku nga radhët e PDK’së. Me ekspertizën e Zejnullahut është miratuar ankesa e “Security Code”, ku 50 për qind të aksioneve ka Milzaim Lushtaku, nipi (djali i vëllait) të Sami Lushtakut.
Në qëndrimet e saj publike në rrjetet sociale, të cilat tashmë i ka të fshehura, Zejnullahu shprehte haptazi mbështetjen ndaj PDK’së. E njëjta ishte edhe aktive në degët e PDK’së në Skenderaj.
Në një postim në ‘Facebook’ të para dhjetë viteve, ajo i uron suksese grave të zgjedhura nga PDK’ja në kryesi të Gruas Demokratike të Kosovës. “Urime suksese…”, është komenti i saj.
Gazeta Insajderi në pamundësi për të kontaktuar drejtpërdrejt me Zejnullahun, iu është drejtuar me pyetje Organit Shqyrtues të Prokurimit për ta pyetur nëse e ka shqyrtuar mundësinë e konfliktit të interesit në vendosjen e saj si eksperte në shqyrtimin e ankesës së kompanisë së sigurimeve, Security Code. Po ashtu, Insajderi ka marrë vesh që e njëjta s’ka qenë e angazhuar për ekspertiza tenderësh që nga 2022-a, për çka edhe e ka pyetur OSHP’në.
Nga OSHP’ja kanë thënë për mediumin se çdo zyrtar gjatë ushtrimit të funksionit publik detyrohet ta bejë vetëdeklarimin paraprak, rast për rast, nëse ekziston interes privat i tij/saj. Megjithatë, përgjigja e tyre është në rrafshin e përgjithshëm, ku nuk specifikon nëse e njëjta zyrtare iu është nënshtruar kësaj procedure.
“Deklarimi rast për rast i interesave private bëhet çdo herë nga zyrtari, kur kjo kërkohet nga udhëheqësi ose nga institucioni udhëheqës apo mbikëqyrës. Deklarimi, si rregull, duhet kërkuar dhe bërë paraprakisht. Kur kjo nuk është e mundur ose kur nuk ka ndodhur, deklarimi duhet të kërkohet të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur por jo më vonë se tridhjetë (30) ditë nga data e kërkesës ose e konstatimit të konfliktit të interesit”, thuhet në përgjigjen e OSHP’së për Insajderin.
Gazeta Insajderi iu është drejtuar me pyetje edhe kompanisë së sigurimeve “Security Code” për ta marrë një koment lidhur me mundësinë e konfliktit të interesit nga përzgjdhja e ekspertes Zejnullahu në trajtimin e ankesës së tyre për tenderin për sigurim fizik të QKUK’së, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli s’ka marrë përgjigje.
Çka thuhet në ankesë dhe në vendim?
Paneli i gjyqtarëve të caktuar nga Gjykata e Tenderëve ia kanë miratuar ankesën “Security Code”, duke pezulluar tërësisht kontratën për mirëmbajtjen fizik të objektit të QKUK’së. Para pak javësh u bë e ditur se objekti tashmë po ruhet nga Policia e Kosovës.
Gjithsesi, siç edhe u cek më lart, i tërë vendimi është i bazuar në ekspertizën e punonjëses së prokurimit në Komunën e Skenderajt.
Por, çka pretendon në ankesë kompania “Security Code”?
Në ankesën e tyre drejtuar OSHP’së, si shkelje të parë e shohin faktin që nuk mund ta respektojë pagën bazë bruto prej 402 eurosh me ofertë 748 mijë euro.
“Diskrepanca nëqmimin e ofertuar nga OE Skyfterat -Live SHPK qe me datë 19.03.2025 sipas procesverbalit të hapjes ka ofertuar nëvlere mbi buxhetin e parashikuar, nëvlere 1,054,161.48€, ndërsa nënegocim me pyetje tendencioze nga komisioni, ky OE ka ofertuar nëvlere diferenca nëqmim – 306, 113.56€”, thuhet pos tjerash në ankesë.
Ata po ashtu pretendojnë se po shkelet Ligji i Punës përmes kësaj kontrate, pa e specifikuar se si.
Ekspertja shqyrtuese ka vërejtje për mënyrat se si QKUK’ja ka nënshkruar kontratë me operatorin ekonomik “Skyfterat- LIVE”.
“Ekspertja shqyrtuese bazuar ne nenet e lartëcekura konstaton se Autoritetit kontraktues Qendra klinike universitare: -Ka nënshkruar kontratë OE ” SKYFTERAT – LIVE ” SH.P.K në kundershtim me nenin 132 pika 1.21,2 ishtë përfunduar gjatë periudhës së pritjes sipas neni 26 të këtij ligji apo gjatë periudhës së vënies së ndonjë mase të përkohshme të urdhëruar nga OSHP ose një gjykatë që ndalon përmbylljen e kontrates. Nuk e ka pezulluar aktivitetin e prokurimit. Ka nënshkruar kontratë pastaj ka publikuar Njoftimin për dhënie. Ka nenshkruar kontatë në periudhën e pritjes , pas pranimit të kërkeses për Rishqyrtim, ka zhvilluar negociatat në menyrë fizike me operatoret ekonomik, nuk e ka ngakuar në platform procesverbalin e negociatave”, thuhet pos tjerash në gjetje.
Paneli shqyrtues i OSHP’së më pas i vlerëson lart gjetjet e Zejnullahut, duke thënë se raporti i saj mban elemente qenësore të një dokumenti.
“Paneli shqyrtues vlerëson se Raporti i ekspertit shqyrtues, i hartuar me kërkesën e Panelit lidhur me kontestin në ketë lëndë të aktivitetit të prokurimit publik, përmban elementet qenësore të një dokumenti të tillë sikurse parashihet me dispozitën e nenit 113 lidhur me nenin 114 të LPP, sipas të cilit kërkohet nga eksperti që ta shqyrtojë gjithë dokumentacionin e prokurimit, përfshirë të gjitha pretendimet ankimore dhe të pajisë Panelin dhe të gjitha palët në konteste me një vlerësim të pavarur dhe profesional mbi aktivitetin e prokurimit dhe vlefshmërinë e pretendimeve ankimore”, thuhet në vendimin e OSHP’së.
Në anën tjetër, dy operatorëve ekonomikë të tjerë që kanë aplikuar për këtë tender një-burimor iu është refuzuar ankesa nga OSHP’ja.
Aktualisht, kontratën aktive ende e ka kompania e sigurimeve “Security Code” në vlerë prej afro 400 mijë eurosh.
Greva e punonjësve të sigurimit fizik, që nga nesër
Kryetari i Federatës Sindikale të Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka njoftuar të enjten se punëtorët e sigurisë në QKUK do të hyjnë në grevë nga e premtja në orën 10:00, pas dështimit të zgjidhjes së çështjes së ndërprerjes së kontratave për rreth 300 punëtorë të sigurisë.
Kjo u bë e ditur pas takimit që Azemi pati të enjten me drejtorin e QKUK-së, Osman Hajdari.
“Ne kemi shtjerrur gjitha mundësitë dhe kemi dhënë aspektin e dialogut prioritet. Po shihet që nga dita e parë që ky problem mund të zgjidhet brenda dy ore, maksimumi brenda tri ditëve. Sot jemi prapë në fazën zero sepse secili shijon që të gjuaj topin te pala tjetër. Neve nuk na ka mbet asgjë tjetër, paralajmërimin për grevë e kemi dhënë që dhe zyrtarisht. Po edhe të na kishin thënë që pasnesër do të ktheheni në punë, ne nuk do të tërhiqeshim dhe greva fillon nesër nga ora 10:00”, tha Azemi.
Ai theksoi se zvarritja e procesit vjen për shkak të keqpërdorimeve nga palë të ndryshme dhe mungesës së vullnetit për zgjidhje.
“Për shkak të keqpërdorimeve që janë bërë nga palët që ne nuk e dimë, Komisionet Ekonomike kanë hyrë dhe janë duke u marrë sot me këtë proces dhe sigurisht ata do të vijnë në një përfundim. Edhe nga ta sot kemi kërkuar: a jeni të gatshëm me shpjegu se kur mund të përfundojë ky proces? E kam thënë se po të jetë dëshira dhe vullneti ky proces mund të përfundojë brenda tri dite. Ata kanë kërkuar që ne së paku deri të martën të tërhiqemi nga greva, por kërkesë e punëtorëve është që të hyhet në grevë nga nesër. Do të jemi në grevë dhe sigurisht se opinioni do ta shohë se deri ku kemi shkuar”, u shpreh ai.
Sipas Azemit, përgjegjësia po bartet në mënyrë të papërgjegjshme nga një institucion te tjetri, ndërkohë që punëtorët mbesin pa kontrata.
“Kemi biseduar me KRPP, ku thonë nuk është topi te ne, me OSHPE kanë thënë nuk është topi te ne, është thënë se është te drejtori i QKUK-së, ky po thotë tani nuk është problem i imi, dhe është bartë te SHSKUK. SHSKUK me dashtë me pas vullnetin e mirë, mos me pas bindje për cilen kompani me votu, mund ta zgjidhë problemin që të hënën të fillojnë punën”, tha ai.
Edhe përfaqësues të tjerë të punëtorëve shprehën mbështetjen për grevën, duke theksuar se nuk do të ndalen pa marrë një zgjidhje të qartë.
Kryetari i Shoqatës së Sigurimit të QKUK-së, Hakif Syla, tha se punëtorët janë të vendosur të mos ndalen deri në një zgjidhje konkrete dhe të garantuar.
“Edhe ne jemi të pajtimit që me të gjithë punëtorët, të mbajmë grevë deri sa të na kthehet një dokument pozitiv që punëtorët të fillojnë punën”, tha ai.
Ndërsa Xhemajl Bajrami, njëri nga punëtorët e sigurisë në QKUK, tha se nga kjo situatë janë prekur 300 punëtorë.
“Prej që na kanë privatizu këtu marrin rroga gati 300 veta. Punëtorë janë afërsisht 280 deri në 300, se këtu edhe bartës që në emër të punëtorëve të sigurisë që punojnë janë bartës të emergjencës”, tha ai. /Insajderi.org/