“Prej burgu po të shkruaj” – Insajderi sjell mesazhet që zbulojnë si u mashtruan biznesmenët me emrin e kolonelit Krasniqi - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    “Prej burgu po të shkruaj” – Insajderi sjell mesazhet që zbulojnë si u mashtruan biznesmenët me emrin e kolonelit Krasniqi

    Insajderi
    15 September 2025 - 17:34
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një rrjet i organizuar mashtrimi, i përbërë nga dhjetëra persona, është duke përfituar para nga qytetarët nën petkun e bamirësisë. Duke përdorur emrat e figurave të njohura publike, ky grup ka vënë në shënjestër sidomos biznesmenët, të cilët po bien pre e këtij skenari të mirëorganizuar mashtrimi.

    Gazeta Insajderi ka siguruar të dhëna ekskluzive mbi mënyrën se si funksionon ky rrjet dhe metodat që përdor për të mashtruar qytetarët, përfshirë përdorimin e emrit të kolonelit të arrestuar nga Prizreni, Nexhmi Krasniqi, si pjesë e skemës.

    Mashtrimi përmes aplikacioneve të komunikimit

    Sipas dokumentacionit të siguruar nga Insajderi, mashtruesit kanë kontaktuar qytetarë të ndryshëm përmes aplikacioneve si Viber dhe WhatsApp, duke mashtruar se janë vetë koloneli Krasniqi dhe po shkruajnë nga burgu.

    “Armend, daja Nexh në telefon”, thuhet në një prej mesazheve të dërguara nga ky rrjet, ku mashtruesit prezantohen si Krasniqi. “Po ju shkruaj prej burgut”, vazhdon mesazhi, me qëllim që të bindin viktimën të dërgojë para.

    Në bisedat që ka siguruar Insajderi, shihet se mashtruesit shmangin qëllimisht komunikimin përmes telefonatave zanore, duke insistuar që kontakti të bëhet vetëm në rrjetet sociale. Për të shtuar besueshmërinë, ata kanë përmendur edhe emrin e bashkëshortes së kolonelit, duke thënë se “Vera t’i kthen pasdite”.

     Policia dhe Prokuroria kanë nisur hetimet ndaj grupit

    Rrjeti në fjalë ka arritur të mashtrojë shumë qytetarë, disa prej të cilëve kanë raportuar rastet në Policinë e Kosovës. Si pasojë, është përfshirë edhe Prokuroria Themelore e Prizrenit, e cila ka konfirmuar për Insajderin se janë ndërmarrë veprime konkrete.

    “Deri më tani, në tre raste të ndara janë arrestuar në flagrancë tre persona të ndryshëm, të cilët kishin marrë para nga qytetarët dhe kishin tentuar t’i transferonin jashtë vendit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    Sipas saj, mashtruesit kanë përdorur numra telefoni nga Bosnja dhe Hercegovina, si dhe nga Mali i Zi, për të kontaktuar qytetarë – kryesisht biznesmenë – dhe për t’u kërkuar para kinse për shpenzime të avokatëve të kolonelit të arrestuar.

    Në disa raste, qytetarëve u është kërkuar që të dërgojnë para përmes shërbimit Western Union, ndërsa në raste të tjera, janë angazhuar ndërmjetës për të marrë shumat fizikisht.

    Përdorimi i emrit të Krasniqit: Reagon familja

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar edhe me vëllain e kolonelit Nexhmi Krasniqi, Naxhi Krasniqi, i cili ka konfirmuar se familja është në dijeni për keqpërdorimin e emrit të vëllait të tij.

    “I kishin marrë filanit 1500 euro dhe po i kërkonin edhe të tjera. Më thirri njëri dhe më pyeti nëse isha në dijeni, i thashë jo. Më pas e njoftova policinë dhe ata arrestuan një person që po telefononte njerëzit nga një numër boshnjak. Edhe një shok nga Opoja më thirri. Një tjetër nga Deçani i kanë kërkuar para në Gjermani”, deklaroi ai.

    Sipas tij, dyshimet e para janë se persona nga Suhareka dhe Kukësi mund të jenë të përfshirë në këtë rrjet, por nuk dha më shumë detaje për hetimet.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark