Si zëvendëspresidentja e ShBA-së Kamala Harris, ashtu edhe ish-presidenti amerikan Donlad Trump, po nxjerrin lista gjithnjë në rritje të premtimeve për votuesit.
Ato përfshijnë strehimin, kujdesin shëndetësor më të përballueshëm, si dhe mbështetjen e prodhuesve për të ofruar lehtësim taksash për miliona amerikanë.
Por këto propozime vijnë me çmime të larta dhe kandidatët nuk kanë përcaktuar se si do të mbulonin plotësisht kostot, ka gjetur një analizë e re.
Si rezultat, borxhi kombëtar do të rritet me triliona dollarë më shumë, pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet, duke komplikuar më tej problemet fiskale të vendit, shkruan CNN.
Plani i Harrisit do të rriste borxhin me 3.5 trilionë dollarë (mbi 3.1 trilionë euro) gjatë dekadës së ardhshme, ndërsa platforma e Trumpit do të bënte që ai të rritet me 7.5 trilion dollarë (mbi 6.8 trilionë euro), sipas raportit të Komitetit për Buxhetin Federal të Përgjegjshëm, të publikuar të hënën.