Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka paralajmëruar shitjen e 36 pronave në rajone të ndryshme të Kosovës. Aktiviteti i privatizimit po vazhdon tash e gati katër vite, përkundër që kryeministri Albin Kurti para ardhjes në pushtet zotohej që do ta shuante AKP’në. Ai kishte premtuar se AKP’në do ta zëvendësojë me Fondin Sovran, ligji për të cilin ka përfunduar në Gjykatën Kushtetuese.
Në planprogramin qeverisës të Qeverisë Kurti, figuron zotimi se përbrenda katër vitesh mandat do të themelohet Fondi Sovran dhe do të shuhet AKP’ja.
“Do të angazhohemi për krijimin e Fondit Sovran. Fondi Sovran do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës, për t’i valorizuar ato, për mundësimin e investimeve të jashtme dhe qasjen në tregje të huaja të kapitalit. Po ashtu, Fondi Sovran do ta ketë përgjegjësinë ekskluzive për investimet në rritjen e vlerës së Trepçës, KEK-ut, Telekomit dhe Postës. Si pasojë e kësaj, do të shuajmë Agjencinë Kosovare për Privatizim me anë të transferimit të saj në agjenci brenda Qeverisë”, thuhet fjalë për fjalë në planprogram qeverisës.
Mirëpo, deri më tani për këtë fond është miratuar në parim vetëm një projektligj. Madje, partitë opozitare kanë njoftuar se këtë projektligj e kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese, duke e konsideruar si të dëmshëm.
Sido që të jetë, AKP’ja po vazhdon funksionin e saj. Së fundmi, nga kjo agjenci kanë njoftuar se do t’i nxjerrin në shitje 36 prona si asete private për biznese.
“Vala e 67-të e shitjes së aseteve (ShAL 67) paraqet një portofol të larmishëm pronash të shpërndara në rajonet kryesore të Kosovës. Rajoni i Prishtinës përfshinë 11 asete, përfshirë toka bujqësore në zonat atraktive të Podujevës, Graçanicës dhe Prishtinës, si dhe hapësira afariste në qendër të Prishtinës, që paraqesin mundësi të shkëlqyera investive. Në rajonin e Pejës janë tenderuar për shitje 14 asete, përfshirë toka bujqësore të përshtatshme për kultivimin e kulturave të ndryshme dhe tokë komerciale/ndërtimore për zhvillimin e biznesit në fshatrat e Gjakovës, Klinës dhe Istogut. Gjithashtu, ofrohen për shitje pjesë të linjës për prodhimin dhe mbushjen e lëngjeve”, thuhet në njoftimin e AKP’së.
“Në rajonin e Prizrenit ofrohen 5 asete në shitje, përfshirë lokale dhe tokë bujqësore në Komunën e Prizrenit dhe Dragashit ndërkaq në rajonin e Mitrovicës janë në shitje 6 asete, përfshirë lokale dhe depo më sipërfaqe atraktive për zhvillim biznesi, si dhe asete në Komunën e Vushtrrisë. Të gjitha këto asete të ndërmarrjeve shoqërore paraqesin mundësi të shkëlqyer për zgjerim të biznesit apo iniciativa të reja biznesore në vendin tonë”, vijon tutje njoftimi.
Kurti, sa ka qenë në opozitë ka qenë tejet kritik ndaj privatizimit të pronave në Kosovë. Në një shkrim që kishte bërë si opozitar thoshte se “kur privatizohet prona publike, rritet hendeku mes institucioneve politike dhe qytetarëve”.
“Kur privatizohet prona publike, qytetarët jo vetëm që e humbin të përbashkëtën e tyre por rritet hendeku midis institucioneve politike dhe qytetarëve. Privatizimi është ekskluziv: prona dhe ndërmarrja është e dikujt dhe e askujt tjetër. S’ka çfarë të flitet aty – të tjerët janë të përjashtuar. Sa më shumë privatizim, aq më pak diskutim. Dhe, para privatizimit mund të kritikosh. Pas privatizimit mund veçse të ankohesh”, shkruante Kurti në një artikull publik në webfaqe të partisë që udhëheq, Lëvizjes Vetëvendosje.
“Infrastruktura është shërbim dhe jo prodhim. Ajo është në shërbim të prodhimit. Ama ky prodhim s’është yni. Prandaj ne jemi shërbëtorë, në shërbim të huaj. Dhe, kemi paguar shumë shtrenjtë që të jemi veçse shërbëtorë. Pra, ne nuk jemi shërbëtorë që paguhemi, por shërbëtorë që paguajmë (korporata të pasura nga buxheti ynë i përbashkët e i varfër). Ne paguajmë shtrenjtë që të shërbejmë. Çfarë borxhi paskemi kështu?! Nuk jemi as skllevër në një shtet skllavopronar. Skllevërit janë të punësuar. Ne jemi robër lufte pa luftë. E madje edhe në luftë ka rregulla, për dallim nga kjo paqja e Kosovës”, vijon artikulli.
Shpallja, sipas AKP’së, do të jetë e hapur nga 11 korriku deri më 31 korrik. Nuk dihet nëse AKP’ja është koordinuar me Qeverinë për shitjen e këtyre pronave.
Në anën tjetër, në një seancë në Kuvend para tri vitesh privatizimin e quante “rrënjën e së keqes” në Kosovë.
“Nga procesi i privatizimit janë shitur, se ai s’ka qenë privatizim, por ka qenë privatizim i egër, brutal, rrjedhimisht krim, 500 fabrika shkuan për skrap. Pak çka prodhojmë, e pothuajse gjithçka importojmë. Ikja e parasë, i ka paraprijë ikjes së rinisë, kemi emigrim në këto 7-8 vitet e fundit, që krahasohet me kohën e okupimit. Privatizimi është rrënja e të keqes në këtë vend, është krim strukturor. Idetë tona janë program, idetë e juaja nuk i kemi parë, përveç se kur aktualizoheshin në praktika në qeverisjet e mëhershme, që populli ia tregoi vendin në 14 shkurt”, deklaronte Kurti.
Mandati i Qeverisë Kurti përfundon në muajt e parë të 2025-ës, teksa themelimi i Fondit Sovran është vlerësuar si vështirë i realizueshëm përbrenda këtij mandati. /Insajderi.org/