Zyra e Prokurimit të Arbërie Nagavcit kishte hapur tenderin për ndërtimin e disa çerdheve në Kosovë, aty parashihej që një të ishte edhe në komunën e Vitisë. Më pas procesi ishte anuluar dhe nga komuna e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës, institucioni për edukimin e fëmijëve ishte zhvendosur në atë të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.
Një çerdhe e re do të niste së ndërtuari këtë muaj, afër shkollës fillore “Dëshmorët e Vitisë”, në Viti.
Për objektin ishte ndarë edhe prona komunale, dhe ishin kryer të gjitha procedurat tjera parapake, sikur edhe votimi në asamble.
Projekti në fjalë, pjesë e të cilit janë edhe disa çerdhe të tjera në Kosovës, është në patronatin e Ministrisë së Arsimit të Arbërie Nagavcit.
“Gjashtë çerdhe të reja në komunat Prishtinë, Podujevë, Gjilan, Viti, Deçan, Gjakovë. Me qëllim të realizimit të prioritetit qeveritar për zgjerimin e infrastrukturës për edukimin parashkollor, Ministria e Arsimit konform legjislacionit në fuqi, ka hapur tenderin me datë 23 maj 2022 për ndërtimin e gjashtë çerdheve, me projekte tipike me dizajn të njëjtë sipas normave dhe standardeve për këtë nivel”, kishte shkruar Nagavci në profilin e saj në Facebook, më 27 maj, transmeton Gazeta Insajderi.
Por, vetëm pak kohë më pas, plani për ndërtimin e çerdhes në Viti, ndërroi.
Në tenderin e ri, të shpallur nga MASHT më 11 korrik të këtij viti për ndërtimin e çerdheve të reja në disa qytete të Kosovës, si në Prishtinë, Podujevë, Gjilan, Gjakovë… mungon ajo që ishte premtuar se do të ndërtohej edhe në Viti.
Sokol Haliti trego si nisi, dhe më pas u anluau ndërtimi i çerdhes
Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i cili vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka treguar për Gazetën Insajderi, se ministria e Arsimit kishte vendosur ta ndërtojë çerdhen në qytetin e tij.
“Ministria e Arsimit ka vendosur për ndërtimin e çerdhes në Viti, është nda buxheti, është nda lokacioni. Në rundin e parë ka dalë tenderi edhe për Vitinë, më vonë ai është anuluar dhe herën e dytë nuk ka dalë për ne”, ka thënë Haliti.
Ai ka thënë se drejtoresha e tij e Arsimit është interesuar mbi këtë çështje, dhe presin të marrin shpejt një përgjigje.
“Drejtoresha e Arsimit ka qenë atje ka biseduar ka kërkuar të sqarohet kjo çështje, ata ende nuk i kanë dhënë sqarime drejtorësh, presim një përgjigje përfundimtare këtë javë”, ka thënë Haliti për Gazetën Insajderi.
I pari i Vitisë ka thënë tutje se vendimi i parë i ministrisë duhet të zbatohet, sepse sipas tij është i ligshim, dhe se “nuk kanë të drejt të veprojnë kështu”.
“Unë shpresoj që ata nuk e bëjnë këtë gabim, edhe pse këtë radh e kanë anshkaluar qëllimsht”.
Çerdhja e Vitisë dyshohet se u zhvendos në komunën e Vetëvendosjes
Çerdhja që ishte paraparë të ndërtohej në Viti, dyshohet se është zhvendosur në një komunë tjetër të Aanamoravës.
Kështu së paku zbulon njoftimi për kontratë në faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.
Aty thuhet se do të ndërtohen pesë çerdhe si në Prishtinë, Podujevë, Gjilan, Gjakovë e në Koretin të Kamenicës, në të cilën qeverisë Lëvizja Vetëvendosjes, parti kjo nga e cila vjen e para e Arsimit në vend, shkruan Gazeta Insajderi.
Nëse ky veprim ka ndodhur për arsye politike ende nuk dihet, pasi kabineti i ministres së Arsimit ende nuk ka dhënë asnjë sqarim për nisjen e procedurave për ndërtimin e çerdhes në Viti, dhe më pas anulimin e saj.
“Nuk dëshiroj më besu që kjo është bërë për arsye politike, por dicka atje ka, sekretarja permanente, dhe ministrja duhet ta japin arsyetimin”, ka thënë Haliti, kryetari i Vitisë, për Insajderin.
Gazeta i ka shkruar ministrisë së Arsimit, dhe sekretares së Përgjithshme, për t’i pyetur mbi arsyet e anulimit, por ende nuk kanë kthyer përgjigje.
Kontrata çerdheve peshon mbi 400 mijë euro, ndërsa ofertat për ndërtimin e tyre do të pranohen deri afërsisht në fund të muajit korrik.