
Kandidati për kryetar të Komunës së Lipjanit, Shukri Buja, ka prezantuar një plan për ndërtimin e tri nënkalimeve moderne që, sipas tij, do ta kapërcejnë ndarjen që ka shkaktuar hekurudha ndër vite.
Në një status të publikuar në rrjetet sociale, Buja theksoi se hekurudha që ndan qytetin është bërë pengesë për lëvizje, zhvillim dhe barazi, andaj ka ardhur koha që kjo ndarje të marrë fund.
Ai ka bërë të ditur se nënkalimi i parë, i destinuar për automjete dhe këmbësorë, do të ndërtohet në rrugën “Bajram Gashi” dhe do të lidhë qendrën e qytetit me anën lindore, duke krijuar një arterie të re urbane.
Nënkalimi i dytë, që do të jetë vetëm për këmbësorë dhe çiklistë, do të ndërtohet pranë stacionit të trenit, pikërisht aty ku ndarja është më e theksuar dhe, siç thotë Buja, do ta ribashkojë sheshin me pjesën përtej hekurudhës.
Ndërsa nënkalimi i tretë do të shërbejë për automjete dhe këmbësorë, duke e lidhur qytetin me lagjen e Akllapit përmes rrugëve “Ganimete Tërbeshi” dhe “Sadik Shala”, gjë që do të hapë mundësi të reja për qasje dhe zhvillim.
Buja e konsideron këtë plan si një hap të madh përpara drejt një Lipjani të bashkuar, funksional dhe të sigurt për të gjithë qytetarët.