
Paga minimale e caktuar me vendim të Qeverisë së Kosovës në vitin 2011 është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç, dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç.
Zëvendësministrja Hajzeraj thotë se nuk do të ketë kategorizime të moshës te paga minimale, pasi që kjo siç thotë Hajzeraj, është diskriminuese.
“Ne besojmë që paga minimale do të rritet. Në mbledhjen e ardhshme të Këshillit ekonomik dhe social, do ta diskutojmë këtë çështje, ku do të përfshihen të gjithë aktorët, që janë anëtarë të këtij mekanizimi dhe të shikohet se cila është mundësia që kjo pagë minimale të rritet ashtu siç e parashohin edhe parametrat e rritjes ekonomike në Kosovë”, u shpreh Hajzeraj, njofton Radio Evropa e Lirë.
Zëvendësministrja Hajzeraj tregon se ende nuk ka një vendim se sa do të jetë paga minimale dhe se vlerën e kësaj page janë duke e diskutuar në Këshillin ekonomik social.
“Problemin kryesor e kemi me bizneset private, pasi që ata gjithmonë e kundërshtojnë rritjen e pagës minimale, duke konsideruar se ata dëmtohen më së shumti. Sa i përket institucioneve të Kosovës, ato janë të gatshme t’i zbatojnë të gjitha vendimet e këshillit”, shton Hajzeraj.
Në anën tjetër, nënkryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës,Alush Sejdiu, thotë se kanë propozuar që paga minimale do të jetë 220 euro.
“Ne, si BSPK, dhe përfaqësuesit e bizneseve kemi kërkuar që paga minimale të mos jetë e kategorizuar dhe të jetë pagë fikse që do të plotësonte kushtet minimale të punëtorëve”, thotë Sejdiu.
Ndryshe, gjatë gjashtë vjetëve të fundit Kosova, nuk ka shënuar rritje ekonomike më shumë se 3.8 për qind. Kjo rritje ekonomike ndonëse po vlerësohet të jetë e mirë, është e pamjaftueshme për të zbutur problemet ekonomike dhe sociale që ka vendi. /Insajderi.com