“Presheva flet”, panairi i parë i librit shqip në Preshevë - Insajderi
×
Kulturë

“Presheva flet”, panairi i parë i librit shqip në Preshevë

Insajderi
18 June 2025 - 21:27
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Me moton domethënëse “Presheva flet”, më 21 dhe 22 qershor, në Shtëpinë e Kulturës në Preshevë, do të mbahet Panairi i Parë i Librit në Preshevë, një ngjarje historike për jetën kulturore të Luginës dhe më gjerë. Ky edicion i parë vjen si dëshmi e gjallë e etjes për dije, gjuhë dhe identitet në një nga trevat më të përkushtuara për ruajtjen e kulturës shqiptare.

Panairi është organizuar nga Biblioteka e qytetit “Mehmet Jusufi” si dhe nga institucione të kulturës dhe arsimit të kësaj zone, në bashkëpunim me shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Në qendër të këtij bashkëpunimi është edhe Shtëpia Botuese Albas, e cila këtë vit jo vetëm që është bashkorganizatore e panairit, por feston një moment të veçantë në historinë e saj: 25-vjetorin e krijimit.

Pjesëmarrja e “Albasit” në këtë ngjarje nuk është thjesht simbolike. Përveç stendës së saj ekspozuese, ku do të paraqiten botimet më përfaqësuese në fusha të ndryshme, nga letërsia për fëmijë e të rritur, arsimi e deri te botimet edukative.

Albas do të organizojë edhe një aktivitet të veçantë promovues, më 22 qershor në ora 12:30, në hollin e Shtëpisë së Kulturës. Gjatë këtij aktiviteti do të prezantohen autorë, projekte botuese dhe iniciativa që kanë lënë gjurmë gjatë rrugëtimit 25-vjeçar të kësaj shtëpie botuese. Aktiviteti do të moderohet nga Artemisa Bushi, redaktore e shumë titujve të kësaj shtëpie botuese.

“Albas” është e vetmja shtëpi botuese shqiptare e cila, që prej vitit 2011, operon jo vetëm në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, por edhe në Preshevë, duke e kthyer praninë e saj kulturore në një urë të qëndrueshme midis trevave shqiptare.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark