Presidenca jep sqarim për publikimin e fotografisë me gratë e AKI-së - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Presidenca jep sqarim për publikimin e fotografisë me gratë e AKI-së

    Insajderi
    09 March 2025 - 12:34
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për nder të 8 Marsit, Ditës së Gruas, ka vizituar edhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), duke vlerësuar rolin e grave që punojnë brenda këtij institucioni.

    Pas vizitës, Osmani ka publikuar një fotografi me punëtoret e AKI-së, çka ka ngjallur reagime në opinion.

    Por, Presidenca ka sqaruar se publikimi i fotografisë u bë me vlerësimin e AKI-së dhe është realizuar nga ky institucion.

    “Publikimi i fotos së Presidentes me gratë e inteligjencës ka pasur për qëllim të vlerësojë punën dhe përkushtimin e tyre në shërbim të sigurisë kombëtare. Në këtë foto, identiteti i tyre nuk ekspozohet dhe nuk cenohet asnjë standard i sigurisë. Për më tepër, kjo foto është bërë dhe dërguar nga AKI-ja dhe pas vlerësimit të tyre se nuk përbën ekspozim të identitetit”, ka deklaruar për Insajderin, Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes.

    Ai theksoi se praktika të tilla kanë ndodhur edhe më herët në Kosovë dhe në shtete të tjera.

    “Presidenca vazhdon të mbetet e përkushtuar ndaj ruajtjes së standardeve më të larta të konfidencialitetit dhe profesionalizmit. Është për të ardhur keq që pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, në vend që të vlerësohet roli dhe kontributi i grave në një fushë sfiduese si inteligjenca, po bëhet fushatë me komente fyese dhe të padrejta ndaj tyre. Gratë që shërbejnë me përkushtim në sigurinë kombëtare meritojnë respekt dhe mbështetje, jo paragjykime”, shtoi ai.

    Kupina gjithashtu ka dhënë disa shembuj fotografikë për të ilustruar se praktika të ngjashme kanë ndodhur edhe në të kaluarën.

    Lidhur me këtë ngjarje mbrëmë ka reaguar edhe njohësi i çështjeve politike dhe ish-kryesinspektori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Burim Ramadani.

    Përmes një postimi Ramadani e ka cilësuar veprimin e Osmanit si të paprecedent.

    ‘‘E paprecedent, si asnjëherë më pare. Ekspozimi i punonjësve të AKI (qoftë pjesë të caktuara identifikuese) përbën shkelje serioze ligjore. Rrëzimi i investimit shumëvjeçar në mos-ekspozim të stafit rrezikon sigurinë e punonjëseve dhe sigurinë kombëtare’’, ka shkruar ai.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark