Presidenti Thaçi shpallet qytetar nderi i Shkodrës – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Presidenti Thaçi shpallet qytetar nderi i Shkodrës

    Insajderi
    04 October 2016 - 17:17
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është shpallur sot qytetar nderi i Bashkisë së Shkodrës. Me propozimin e të parës së Shkodrës, Voltana Ademi, ky titull iu nda sot presidentit Thaçi në një ceremoni solemne para këshillit bashkiak.

    Presidenti Thaçi u shpreh mirënjohës për ndarjen e këtij titulli nga Bashkia e Shkodrës.

    “Ky titull mund të konsiderohet si një tjetër dëshmi e lidhjes së ngushtë shpirtërore që ekziston mes Shkodrës dhe Kosovës. Një lidhje e fortë tradicionale që e ka zanafillën tek rrugët e lashta tregtare mes Shkodrës, Pejës dhe Gjakovës. Një lidhje që është ujitur me gjakun e derdhur nga Isa Boletini me shokë, të cilët erdhën këtu në mbrojtje të Shkodrës dhe që u dëshmua më së miri edhe me dyert e panumërta të shtëpive bujare shkodrane të hapura për refugjatët kosovarë gjatë luftës”, ka thënë presidenti Thaçi.

    Ai ka thënë se kontributi i Shkodrës për botën shqiptare është i pallogaritshëm, thuhet në një njoftim për media dërguar nga Zyra e Presidentit.

    Presidenti Thaçi ka thënë se titullin “Qytetar nderi i Shkodrës” e pranon me përulësi dhe mirënjohje të madhe.

    Në fund, presidenti Thaçi dhe e para e Shkodrës, Voltana Ademi, kanë vendosur kurora lulesh edhe te shtatorja e Shën Terezës, Luigj Gurakuqit dhe Isa Boletinit në Shkodër./Insajderi.com

     


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark