
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i është përgjigjur zyrtarisht kërkesës së kryesuesit të seancës konstituive të Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës, Avni Deharit, lidhur me shkresën që i ka dërguar sot për dështimin e seancës së djeshme konstituive.
Në letrën e siguruar nga Insajderi, Osmani ka kërkuar që Kuvendi të mblidhet sërish nesër.
“Rrjedhimisht, gjithashtu ju rikujtoj se fryma e Kushtetutës, praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit të Kosovës, ju obligon që seancën konstituive ta vazhdoni jo më vonë se brenda dyzet e tetë (48) orëve nga ndërprerja e saj. Andaj, ju ftoj që në përputhje me autorizimet tuaja si Kryesues i seancës konstituive të Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit, efektive që nga data 8 prill 2025, ta realizoni seancën konstituive në përputhje me parimet kushtetuese të përmendura më lart, Rregulloren e Kuvendit si dhe legjislacionin në fuqi”. thuhet në letër.